Shef i Organizimit në Partinë Demokratike Klevis Balliu, ka reaguar në lidhje me denoncimin e sotëm të News24 në lidhje me korrupsionin në dogana.

News24 ka siguruar pamjet e disa rasteve të marrjes së ryshfetit të pastër në portin e Durrësit, ku përveç korrupsionit flagrant cenohet siguria kombëtare dhe interesat e ligjshëm të shtetit, duke i lënë në duart e subjekteve private vulat zyrtare.

Në lidhje me rastin, Balliu në një postim në Facebook, ka deklaruar se shqiptarët janë arrestuar për 500 lekë të vjetra, ndërsa vëllai i këshilltarit të Ramës kapet duke vjedhur dhe është i paprekshëm.

Balliu shtoi se antiligji duhet larguar në çdo mënyrë e mjet të nevojshëm.

Postimi i plotë:

ÇMENDURIA E RADHËS NË QEVERINË E ABSURDIT

Hajdutët e doganave që janë kapur në flagrancë nga gazetarë kurajozë, të cilët demaskuan korrupsionin e Doganave të drogës, as janë pezulluar nga detyra dhe as nuk janë arrestuar nga Policia.

Ky akt mosveprimi fakton që korrupsioni nuk është armik por është frymëzim, është kriter në këtë administratë.

Kush vjedh më shumë ngjitet më lart në hirarkinë e qeverisjes që institucionalizoj korrupsionin.

Vëllai i këshilltarit të Ramës mund të kapet duke vjedhur apo në çdo lloj krimi tjetër por ai nuk preket.

Ndërkohë shqiptarët janë arrestuar për 500 lek të vjetra sepse nuk kishin faturë tatimore.

Kjo është qeveria që korrupsionin e ktheu në mision, vjedhjen e ktheu në kriter dhe krimin e ktheu në ligjin e vendit.

Antiligji duhet larguar me çdo mjet dhe me çdo mënyrë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb