Italia është në favor të krijimit të një shteti palestinez, por një shtet i tillë duhet të njohë Izraelin dhe anasjelltas, tha ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani.

“Të shtunën në mëngjes u takova me kryeministrin palestinez (Mohammad Mustafa), folëm gjatë për situatën dhe i thamë se jemi për krijimin e një shteti palestinez, por shteti palestinez duhet të njohë Izraelin dhe duhet të njihet nga Izraeli”, tha Tajani në margjinat e një takimi të Këshillit Evropian në Bruksel.”Sigurisht, nuk mund të jetë një shtet palestinez i drejtuar nga Hamasi, i cili është një organizatë terroriste. Ne e njohim Autoritetin Kombëtar Palestinez,” tha ai.

Tajani shtoi se Italia është e gatshme të dërgojë ushtarë në kuadrin e një misioni të Kombeve të Bashkuara të udhëhequr nga një vend arab që synon të përgatitet për krijimin e një shteti palestinez pasi të përfundojë lufta.

Ai komentoi gjithashtu lëshimin e raketave nga qyteti jugor i Gazës, Rafah, drejt qendrës së Izraelit të dielën.

“Është një mënyrë për të përshpejtuar kohën e një sulmi në Rafah,” tha ai. “Është e qartë se Hamasi po përdor Rafahun për të krijuar probleme shtesë, që do të thotë se po përpiqet të tërheqë Izraelin në një lloj kurthi mediatik.

Megjithatë, ai paralajmëroi se civilët palestinezë do të paguajnë çmimin e veprimeve të tilla.

“Kjo demonstron, edhe një herë, se Hamasi nuk është në anën e popullit palestinez, por po e përdor popullin palestinez si një mjet për qëllimet e tij politike, me të cilat ne nuk pajtohemi,” tha ai.

 

(A.A/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb