NGA DARINA TANUSHI

TIRANE- Kryeministri Rama dhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta kanë anuluar dje darkën festive që kishin planifikuar për në 14 janar për deputetët e të dyja partive. Më parë kjo ishte menduar të bëhej në datë 26 dhjetor 2015, por edhe atëherë u shty, për shkak të përplasjeve të axhendave të dy krerëve të koalicionit.

Ndërkohë po dje krerët e maxhorancës kanë anuluar edhe festën e planifikuar për deputetët e dy partive, përcaktuar për t’u bërë pikërisht sot, në një nga lokalet në periferi të Tiranës.

Përmes një e-maili, deputetët e grupit parlamentar të Partisë Socialiste janë njoftuar se nuk do të ketë festë. Sipas përmbajtjes së “e-mail”-it të publikuar në media, deputetët e PS-së, pasi urohen për një sesion të mbarë për vitin 2016, njoftohen se darka e planifikuar për në datë 14 janar, nën kujdesin e kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit, anulohet.

Në këtë e-mail nuk jepet asnjë arsye. Kryeministri Rama, por edhe kreu i Kuvendit, Meta kanë pohuar seraportet mes tyre janë të qëndrueshme, konstruktive dhe bashkëpunuese. Nga ana tjetër, dy ditë më parë, gjatë intervistës në “Studio e Hapur”, në “Nees 24”, Rama tha se sigurisht ka pasur edhe debate sidomos për reformën në drejtësi, por marrëdhënia mes krerëve të koalicionit është korrekte.

Nuk dihet nëse anulimi i darkës festive mes deputetëve të PS e LSI ka pasur si shkak ftohjen e pretenduar të raporteve mes Ramës e Metës, por zyrtarisht kjo justifikohet me përplasjen e axhendave të secilit.

(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: