“Jo hidrocentralit të Poçemit në luginën e Vjosës. Lumi i fundit i egër i Evropës duhet të mbrohet”. Ka qenë ky apeli i 30 shkencëtareve të mbërritur në Shqipëri nga disa shtete si Austria, Gjermania e Sllovenia. Pas një jave studimesh, ata janë në një mendje se ndërtimi i këtij HEC-i do të sjellë vetëm humbje.

“Duhet të ndërtojmë mbi këtë eksperiencë një studim të gjerë dhe afatgjatë dhe së pari të marrim informacion për ekologjinë e këtij sistemi rreth rrezikshmërisë së ndërtimit të një hidrocentrali këtu. Mendoj se të gjithë do të dalin të humbur nga ndërtimi i këtij hidrocentrali për shkak të dëmeve të mëdha që shkakton dhe në dëm të gjeneratave që do të vijnë”, përcjellin mesazhin e tyre shkencëtarët.

Profesori Fritz Schiemer nga Universiteti i Vjenës i bën thirrje kryeministrit që ky hidrocentral të mos ndërtohet. Sipas tij duhet një studim i thelluar për ndikimin në mjedis sipas standardeve ndërkombëtare.

“Do të ishte turp të ndërtohej pa bërë vlerësime të mirëfillta të ndikimit në mjedis. E këshillojmë kryeministrin që të rimendojë pozicionin e tij për të ndërtuar këtë hidrocentral sepse ne mendojmë se dëmet ekologjike do të jenë të mëdha, por jo vetëm përsa i përket përmbytjes, e cila do te shkaktonte humbjen e florës dhe faunës në këtë zonë, por ndërtimi i këtij hidrocentrali do të ndikonte dhe pjesën e poshtme të lumit pra në grykëderdhje duke ulur nivelin e ujërave nëntokësore dhe duke shtuar marrjen e detit ndaj tokës”, tha ai.

“Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës” është fushata që synon të mbrojë Vjosën nga ndërtimi i hidrocentraleve.

“Ekipi i shkencëtarëve ka bërë kërkime në 5 km gjatësi dhe 2 km gjerësi të lumit në afërsi të fshatit Kute, i cili sipas studiuesve do të përmbytet nga rezervuari i digës nëse HEC-i i Poçemit do të ndërtohet. Vjosa identifikohet si një lumë i pasur me florë dhe faunë. 20 specie peshqish, të kërcënuar në lumenjtë e Evropës janë identifikuar në ujërat e këtij lumi. Ndërtimi i HEC-it është parashikuar të nisë 36 muaj pas marrjes së lejes së ndërtimit”, tha Besiana Guri

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb