Apeli i Posacëm ka rrëzuar të shtunën ankimimet e tetë anëtarëve të grupit kriminal “Rraja”, duke lënë në fuqi masën e arrestit me burg për ta.

Të dyshuarit, Islam Sefa, Rexhep Rraja – djali i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja – Perparim dhe Gazmir Rraja, Aldo Gjini, Zamir Aliaj, Jani Çavo dhe Marvin Bushati, do të vijojnë qëndrimin në qelitë e paraburgimit për akuzat e trafikimit të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrjes në një grup të strukturuar kriminal.

Dy të arrestuarit e tjerë, Sokol Qaja dhe Agim Nina, të përfshirë gjithashtu në grup, nuk bënë ankim ndaj vendimeve të dhëna.

Ky grup kriminal u godit disa javë më parë nga SPAK, si rezultat i hetimeve të kryera pas zbardhjes së aplikacionit të koduar Sky ECC. Sipas organit të akuzës, dyshohet se grupi ka kryer tre episode trafiku droge, dy prej të cilave me marihuanë dhe një me kokainë. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të grupit.

Këto shtetas, që u zbuluan pas zbërthimeve të përgjimeve në aplikacionin SKY ECC, akuzohen për veprat penale trafikimi i lëndëve narkotike e kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit të grupit të strukturuar kriminal parashikuar nga nenet 283/a/1 dhe 28 pika 4 te 333/a si edhe neni 334/1 i Kodit Penal.

Sipas gazetares, baza e këtij grupi ishte në Nikël.

KOMUNIKIM PËR MEDIAN
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Florjan Kalaja, sot më datë 24.01.2026, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 1 akti, datë 19.01.2026 regjistrimi, mbi ankimet e ankuesve I.S, J.Ç, A.Gj., M.B., P.Rr., G.Rr., R.Rr., dhe Z.A.: “Ankim kundër vendimit nr. 124, datë 09.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Caktimin e masës së sigurimit personal “Arresti në burg”, parashikuar nga neni 238, i Kodit të Procedurës Penale. Ankim kundër vendimit nr. 126, datë 11.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit personal “Arresti në burg”, parashikuar nga neni 238, i Kodit të Procedurës Penale” në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:
1. Miratimin e Vendimit nr. 124, datë 09.12.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për sa i takon disponimeve kundrejt Z. I.S., Z. J.Ç., Z. A.Gj., Z. M.B., Z. P.Rr., Z. G.Rr., Z. R.Rr., Z. Z.A..
2. Miratimin e Vendimit nr. 126, datë 11.12.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për sa i takon disponimeve kundrejt Z. I.S., Z. J.Ç., Z. A.Gj., Z. M.B., Z. P.Rr., Z. G.Rr., Z. R.Rr., Z. Z.A..
3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar. U shpall në Tiranë, me datë 24.01.2026.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: