TIRANE – Apendisiti si sëmundje kirurgjikale haset mesatarisht në 12% të burrave dhe 25% të grave. Përgjithësisht është sëmundje e moshave të reja, sepse 40% e rasteve hasen në kufijtë moshore nga 10 deri 29 vjeç. Frekuenca e operacionit për heqjen e apendiksit aktualisht është 10 për 10000 pacientë në vit.
Shenjat klinike të apendisitit janë:
-Dhimbja e barkut është shenja e parë dhe më e hasur. Ajo paraqitet si dhimbje mesatarisht e fortë deri e fortë, e qëndrueshme në intensitet dhe kohëzgjatje nga 1 – 12 orë, mesatarisht 6 orë. Vendosja e dhimbjes është në pjesën e poshtme të barkut, kryesisht djathtas, por edhe në fundin e barkut dhe karakteristike është se ajo aty mbetet.
Megjithatë, edhe lokalizimi i dhimbjes është i lidhur ngushtë me variacionet si të vendosjes së apendiksit, ashtu edhe shkallës së infektimit të tij.
-Humbja e oreksit, e cila është e pandarë thuajse nga dhimbja. Pacientët e identifikojnë këtë si largim të dëshirës për të, ndërkohë që më përpara kanë pasur oreks.
-Të vjellat hasen në 75% të pacientëve, por nuk janë konstante, sepse mund të jenë edhe thjesht të përziera.
-Temperatura trupore mund të jetë e rritur lehtësisht.
-Përkeqësimi i gjendjes së përgjithshme
Mënyra e diagnostikimit

Natyrisht që ndihmesë të madhe jep marrja me kujdes e historisë së sëmundjes nga i sëmuri duke këmbëngulur në çdo detaj, sidomos të fillimit të saj. Gjetjet laboratorike janë të rëndësishme, sidomos analiza e gjakut për rruazat e bardha, të cilat luhaten nga 10000 deri 18000, madje në rastet e komplikuara mund të shkojë edhe mbi këtë shifër.
Analiza e urinës ka rëndësi më tepër përjashtuese.
Ndihmë të konsiderueshme sot japin ekzaminimet radiologjike, ku e para vjen ekoja e barkut, e cila tregon përmasat e apendiksit, trashësinë e mureve të tij, praninë e lëngut ose edhe qelbit të lirë në bark, si dhe raportet e apendiksit të infektuar me organet afër tij. Ekoja e barkut vlerësohet se e vendos diagnozën në 55 – 96% të rasteve.
Radiografitë e drejtpërdrejta të barkut japin ndihmesë për përcaktimin e një pamje të përgjithshme të barkut në rastet kur dyshohet për apendisit.
Më përparimin e teknologjisë mjekësore, sot përdoret gjerësisht ekzaminimi skanerik i barkut me pajisje skanerike me rezolucion të lartë duke përdorur ose jo kontrast. Ekzaminimi skanerik i kujdesshëm jep të dhëna mjaft të vlefshme për apendiksin, si dhe për raportet e tij me zorrën e trashë dhe me atë të hollën. Po kështu, skaneri është sot një mënyrë e shkëlqyer përcaktimi dhe identifikimi e një grumbulli sëmundjesh të tjera që, ose fshehin apendisitin, ose kanë shenja klinike si ky i fundit.
Duhet thënë se asnjë nga shenjat e mësipërme të marra veçmas nuk e vë diagnozën e apendisitit, po kështu edhe metodat e diagnostikimit kanë përqindjen e vet të gabueshmërisë dhe diagnoza e saktë vendoset vetëm kur kombinohen marrja e historikut të kujdesshëm të sëmundjes nga vetë pacienti me shenjat klinike të sipërpërmendura, të dyja këto të plotësuara nga pozitiviteti i analizave laboratorike dhe ekzaminimeve imazherike.
(Agron Domi, kirurg i përgjithshëm)
(er.nu/shëndeti/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb