Aplikimet lidhur me subvencionin e naftës kanë sjellë radhë të gjata në drejtorinë e Bujqësisë në Korçë.

Ndonëse është dita e parë e aplikimeve, fermerët janë shprehur se janë paraqitur në ambientet e drejtorisë sepse vitin e kaluar nuk kanë mundur të përfitojnë, pasi u kishte kaluar afati.

“Kam që në 7 të mëngjesit që rri në këmbë këtu. Çfarë t’u them unë”, tha një nga fermerët.

“BalkanWeb” mëson se radhët janë shkaktuar për shkak se sistemi ka pasur disa probleme.

“Vjet nuk morëm, erdhëm këtu dhe asgjë. Edhe këtë vit doli prapë, por po bëjmë shumë orë këtu dhe asgjë nuk kemi marrë. Në këtë moshë që jemi ne, nuk marrim vesh nga ato që kanë thënë apo aplikime me telefona”, tha një tjetër qytetar.

“Aplikuam vjen dhe nuk morëm dot se kaloi afati. Tani kemi ardhur që në pesë të mëngjesit. 70-80 vjeç burri këtu rri e pret. Tani të shohim çdo të bëhet, po nuk na gënjyem do të marrim, nëse na gënjejmë nuk marrim gjë. U futëm njëherë atje, por dolëm jashtë sepse nuk rrimë dot në këmbë”, tha një tjetër qytetar.

Për radhët e gjata ka reaguar edhe drejtori i Bujqësisë, Vullnet Gjolla i cili ka bërë të ditur se shkak i radhëve ka qenë një problem në sistem mëngjesin e sotëm por që tashmë ka marrë zgjidhje dhe zyra e tyre vijon të presë fermerët.

Sipas tij në ditën e parë të aplikimeve gjithmonë ka radhë duke ju bërë thirrje fermerëve për të aplikuar edhe online.

Ndonëse aplikimi bëhet dhe në e-Albania, shumë fermerë sidomos moshat e treta thonë se nuk mund ta kryejnë këtë proces online ndaj paraqiten fizikisht pranë kësaj drejtorie.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: