NGA ERMELINDA HOXHAJ*
Sot maturantët kanë afatin e fundit për të kryer pagesën e aplikimit në universitet prej 2 mijë lekësh dhe të hedhin notën mesatare në sistem. Ndërkohë që data 11 gusht do të jetë dita e fundit që maturantët do të kenë në dispozicion për të plotësuar formularin e aplikimit për në universitet.
Në kalendarin e publikuar nga AKP-ja, dita e fundit e aplikimit është data 10 gusht dhe u është përcaktuar si ditë për aplikimin në universitet maturantëve të këtyre DAR/ZA-ve: Kukës, Has, Tropojë, Dibër, Mat dhe Bulqizë. Ndërsa data 11 gusht është shansi i fundit për ata kandidatë që kanë kryer pagesën por për arsye të ndryshme nuk kanë mundur të plotësojnë formularin e aplikimit.
Ndaj sipas AKP-së, në datën 11 gusht portali “Matura Shtetërore online” do të jetë i hapur për të gjitha qytetet e vendit, në mënyrë që çdo kandidat i cili ka kryer pagesën prej 2 mijë lekësh por për arsye të ndryshme nuk ka mundur të regjistrohet në garën për në universitet, të mund të plotësojë 10 degët në të cilat preferon të garojë në formularin e aplikimit.
Kjo procedurë vlen për universitetet publike dhe private, pasi ata maturantë që dëshirojnë të vijojnë studimet e larta në institucione private, duhet patjetër të bëjnë aplikimin, pasi në të kundërt nuk mund të ndjekin asnjë program studimi edhe në universitet private.
Aplikimi&Kushtet
Të gjithë kandidatët, për ndjekjen e studimeve në universitetet publike dhe private, në ciklin e parë të studimeve Bachelor, duhet të kryejnë procesin e aplikimit online në portalin e Maturës Shtetërore. Në udhëzimin e MAS-it përcaktohet se maturantët përpara se të bëjnë aplikimin në portalin e maturës, duhet të kryejnë pagesën e tarifës së aplikimit në vlerën 2000 lekë, në zyrat e postës apo në bankat e nivelit të dytë në llogari të AKP-së. Maturantët mandatin e pagesës së tarifës së aplikimit e dorëzojnë në shkollat ku kanë kryer plotësimin e Formularit A1/A1Z.
Vetëm pas dorëzimit të këtij mandati pagese, sekretaritë e shkollave hedhin në sistem notën mesatare për pranimin e maturantëve në ciklin e parë të studime. Afati i fundit për kryerjen e pagesës dhe hedhjen e notës mesatare në sistem është data 10 gusht 2016. Udhëzimi i MAS-it përcakton si datë të fundit të aplikimit datën 11 gusht 2016.
Aplikimi nëpërmjet formularit të aplikimit në portalin e Maturës Shtetërore, kryhet në cilindo mjedis që ka akses interneti. Kandidatët hyjnë në portal me kredencialet e tyre: ID-ja e kandidatit; emri, atësia, mbiemri; karta e identitetit; e-maili i kandidatit etj., duke zgjedhur deri në 10 programe studimi nga lista e programeve të studimit që ofrohen nga 34 universitetet publike dhe jopublike, për vitin 2016-2017.
Universitetet&fituesit
Sipas afateve që MAS-i ka përcaktuar në udhëzim, AKP-ja brenda datës 16 gusht 2016 duhet që listën e aplikantëve që konkurrojnë në programet përkatëse të studimit t’ua përcjellë universiteteve. Ndërkohë që brenda datës 30 gusht 2016, AKP-ja ngarkohet që universiteteve t’u përcjellë listën e aplikuesve për çdo program studimi së bashku me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme, rezultatet e provimeve të Maturës Shtetërore, si dhe tregues vlerësimi të tjerë të nevojshëm për renditjen dhe shpalljen e fituesve nga ana e IAL-ve.
Universitetet publike dhe jopublike që në kriteret e tyre kanë përcaktuar konkurs/testime etj., do t’i afishojnë listat e kandidatëve pjesëmarrës në konkursin e pranimit më datë 16 gusht 2016 në mjediset e tyre, dhe do t’i realizojnë këto konkurse në periudhën 20-30 gusht 2016. Brenda datës 4 shtator këto universitete duhet të hedhin në sistemin informatik pikët e secilit kandidat në konkurrim.
“Institucionet e arsimit të lartë e kryejnë procesin e përzgjedhjes së kandidatëve fitues në bazë të kritereve që kanë përcaktuar nga ana e tyre. Për çdo program studimi që ofrojnë, universitetet publikojnë listat e renditjes së kandidatëve fitues dhe formulën/mënyrën e përzgjedhjes. Në listën e publikuar, fituesi i fundit përcaktohet me vijë të kuqe, në varësi të kuotave të ofruara për programin përkatës të studimit.
Kandidatët kanë të drejtën e ankimimit brenda tri ditëve kalendarike nga dita e shpalljes së fituesve. IAL-të detyrohen të shprehen me vendim të argumentuar lidhur me ankimimin, brenda dy ditëve punë nga dita e paraqitjes së ankesave. Vendimi i universitetit ankimohet në gjykatën kompetente.
Universitetet shpallin listat jopërfundimtare të kandidatëve fitues me ID-në e kandidatit, në faqen elektronike brenda datës 5 shtator. Në datën 6 shtator ia dërgojnë në formë elektronike AKP-së”, përcaktohet në udhëzimin e MAS-it. Pas procesit të ankimimit, në datën 11 shtator universitetet shpallin listën përfundimtare të fituesve.
Regjistrimi në sekretari
Të gjithë kandidatët që kanë kryer procesin e aplikimit në raundin e parë dhe janë shpallur fitues nga IAL-të, duhet të kryejnë procesin e regjistrimit online dhe me dokumentacion në sekretaritë mësimore të universiteteve në programin e studimit ku dëshirojnë të vazhdojnë studimet, në datat 13-20 shtator 2016.
Kandidati që është shpallur fitues në më shumë se një program studimi, lejohet të regjistrohet vetëm në një program studimi ku është fitues. Sekretaritë mësimore do pranojnë dokumentacionin për të gjithë kandidatët fitues. Dokumentacioni që duhet të dorëzohet është në tabelën bashkëngjitur shkrimit.
(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
