Nga: KLODIANA LALA*

TIRANE – Arben Kicja, njeriu që drejtoi gishtin e fajësisë ndaj kreut të Bandës së Lushnjës, Aldo Bare, trokiti në dyert e Prokurorisë së Përgjithshme, duke këmbëngulur në rimarrjen e statusit të dëshmitarit të mbrojtur të drejtësisë, që iu hoq dy javë më parë. I shoqëruar nga e shoqja dhe dy fëmijët e mitur, Kicja për më shumë se 20 minuta qëndroi në zyrën e drejtorit të Hetimit në organin qendror të akuzës, Kosta Beluri, duke denoncuar faktin se sipas tij, padrejtësisht është nxjerrë nga programi i mbrojtjes. Kicja mësohet t’i ketë thënë prokurorit Beluri, se për asnjë moment nuk e ka shkelur marrëveshjen, por u la në mes të rrugës nga shteti. “Na përzunë nga shtëpia ku qëndronim, se nuk ishte paguar qiraja. As pagesa mujore nuk na jepej. Na braktisën. Kohët e fundit humbëm dhe kontaktet me oficerin e kontaktit”, tha Kicja për mediat. Arben Kicja dhe familja e tij jetojnë prej 2010 në Itali dhe sikurse thekson babai i dy fëmijëve, befas kanë humbur kontaktet me autoritetet shqiptare, çka solli dhe situatën ku ndodhen. Ai pretendon se jeta e tij dhe e familjes është në rrezik. “Si të mos jemi të rrezikuar?! U dënuan njerëz me burgim të përjetshëm me dëshminë time”, thotë Kicja.

Përjashtimi nga mbrojtja

Më 7 gusht 2015, Komisioni për Vlerësimin e Programit të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë vendosi të përjashtojë nga programi i mbrojtjes së posaçme, dëshmitarin Arben Kicja dhe familjen e tij. Zyrtarisht Ministria e Brendshme tha se Kicja në mënyrë të përsëritur dhe të vetëdijshme kishte shkelur marrëveshjen. Ndërsa, burime jozyrtare deklaruan se në vitin 2010, çifti Kicja ka firmosur marrëveshjen, ku mes të tjerash kanë rënë dakord që nuk duhet të ktheheshin në Shqipëri, të mos kontaktonin asnjë të njohur, me qëllim që të mos zbulohej identiteti i tyre. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, familja Kicja është vendosur në Itali ku ka qëndruar për disa vite. Por, burimet theksojnë se përgjatë dy viteve të fundit, Arben Kicja dhe bashkëshortja e tij kanë ardhur në Shqipëri në kundërshtim me kontratën e nënshkruar, madje duke bërë edhe pushime verore. Burimet sqarojnë se çifti është paralajmëruar disa herë, por duke qenë se situata nuk ka ndryshuar, është vendosur për përjashtimin e tyre nga programi i mbrojtjes. Çështja “Kicja”, që u publikua nga “GSH” është bërë shkak për debate politike, pasi Partia Demokratike akuzoi qeverisë se ka braktisur dhe flakur në rrugë dëshmitarët e drejtësisë. Por përtej pretendimeve të Kicjas dhe argumenteve të dhëna nga ministria përse u përjashtuan, madje dhe debatit politik, askush nuk jep përgjigje sesi do të shkojë halli i një familje, mes tyre edhe dy fëmijë të mitur, në kohën kur Arben Kicja dëshmoi kundra Aldo Bares, një prej emrave më të përfolur të botës së krimit në vend.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: