Deputeti i PD­-së tregon për ngjarjen e madhe dhe të lumtur, tani që në familjen e tij ka mbërritur edhe një pjesëtar i ri*
Ristani: Tomasi erdhi kur ishte 1 vjeç, tani mezi pres të iki në shtëpi dhe të kujdesem për të*
TIRANË- Ai ka thuajse më shumë se një vit që është bërë pjesë e politikës, por ka aftësitë e një politikani karriere kur vjen puna për t’u përballur me betejat e forta të saj, sidomos kur këtë karrierë e fillon si opozitar. Arben Ristani nuk vonoi të bëhej një individ i spikatur i Partisë Demokratike, ndërkohë që në zgjedhjet e fundit të kësaj partie ai u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i saj. Dhe, me sa duket, ngjitja e shkallëve të karrierës së 45¬vjeçarit në këtë profesion të ri të tij ka qenë një ogur i mirë edhe për jetën personale. Disa ditë më parë, nga miq dhe të afërm të çiftit Ristani mësuam se ata kanë birësuar një fëmijë, një ngjarje e madhe kjo në një familje, por për të mësuar më shumë, na duhej të pyesnim vetë Ristanin. Pyetja “Nga e morët vesh?”, e pasuar nga komenti: “Nuk e kemi mbajtur të fshehtë, por preferuam të mos e bënim menjëherë publike”, ishin të pamjaftueshme për të na bërë që të hiqnim dorë nga insistimi për të mësuar diçka më shumë, ndërkohë që kur përmendet emri i Tomasit, pamja e Ristanit është shumë larg asaj që jemi mësuar ta shohim në foltoren e Parlamentit. Një vit më parë, teksa Ristani bëri një ceremoni martese me partneren e tij, Alketën, me të cilën bashkëjetonte prej 8 vitesh, as që bëhej fjalë që ai të na tregonte diçka, apo të kishim qoftë edhe një foto nga eventi, por kësaj here është ndryshe, Ristani “dorëzohet” dhe pranon të ndajë diçka me ne.
RILIND DËSHIRA PËR TË BËRË BABAIN
“Po, unë dhe Alketa kemi birësuar para dy muajsh një djalë, rreth 1 vjeç, dhe jemi që të dy të lumtur për këtë fakt”, fillon rrëfimin e tij Ristani. “Unë kam një vajzë nga martesa e parë, Nensin, e cila mbush 20 vjeç këtë vit. Kam shijuar çdo ditë e muaj të jetës së Nensit duke qenë pranë saj për ta edukuar, për ta mbështetur e për t’i dhënë dashuri. Jam i lumtur se Nensin e shoh të gatshme sot të përballojë sfidat e jetës, e ndaj e pranoj natyrshëm dëshirën e saj për të qenë e pavarur sot. Kemi dashur prej kohësh të bëjmë një vëlla apo motër për Nensin dhe më në fund vendosëm të birësonim një fëmijë. E vendosëm dhe u ndjemë shumë mirë: jo vetëm se ne do të sillnim një jetë të re, një dashuri të re në shtëpinë tonë, por do t’i jepnim një fëmije mundësinë e një familjeje”.
DËSHIRA PËR BIRËSIM, NJË GJË E NATYRSHME
Nuk është një nga ato vendime që mund të merret shpejt, sepse gjithçka ka të bëjë me projektimin e një jete tërësisht të re. Të gjithë e dimë se si ndryshon jeta e një familjeje kur një fëmijë vjen në jetë dhe kur bëhet fjalë për një birësim, reflektimi me siguri është akoma më i thellë. Po në familjen Ristani si kanë rrjedhur ngjarjet deri kur është finalizuar gjithçka? “Bashkëshortja ime Alketa, e cila është mjeke në profesion, por që punon tek UNICEF, ka qenë shumë afër përvojave të tilla. Për më tepër, patëm mundësinë të shohim dhe përjetojmë nga afër përvojën personale të përfaqësueses së UNICEF para disa vitesh, një amerikane e cila birësoi dy fëmijë, një motër e një vëlla. Ne mahniteshim nga kuraja dhe energjia e asaj gruaje, sepse bëhej fjalë për dy fëmijë. E kështu, morëm pak kohë për ta vendosur, por kemi pasur një bindje të pakthyeshme se ishte vendimi i duhur që në ditën e parë. Bëmë aplikimin para Komitetit të Birësimit, kryem seanca këshillimi, intervistimi, një proces të cilin e shijuam dhe na ndihmoi të kuptojmë akoma më mirë sa shumë e donim këtë gjë. Një nga ditët vizituam edhe jetimoren; një parajsë me engjëj, që të vjen dëshira t’i marrësh e t’i çosh që të gjithë në shtëpi, që të gjithë ata të bëhen familja jote”, – rrëfen Ristani. Më pas, procedurat ligjore, përcaktimi i fëmijës që do merrnin dhe tashmë gjithçka ishte afër konkludimit. Ja si e kujton këtë moment deputeti Ristani…
DUKET SIKUR TOMAS KA QENË GJITHNJË ME NE
“Kur Komiteti i Birësimit na propozoi fëmijën, ne thjesht pranuam. Nuk kishte rëndësi për ne ishte djalë apo vajzë, apo si i kishte sytë. Më pas, unë së bashku me bashkëshorten dhe vajzën, kemi vajtur gati çdo ditë për ta takuar në shtëpinë e fëmijës. Edhe pse i vogël, ai u mësua shumë shpejt me ne. Tani që e kujtoj, çdo gjë ndodhi kaq lehtë e natyrshëm. E pranuam njëri¬tjetrin shumë shpejt dhe kur Tomasi erdhi në shtëpinë tonë, na dukej sikur kishte qenë aty që ditën e parë të jetës”. Por si ka ndryshuar jeta e familjes Ristani tani? “Është një ndjesi e jashtëzakonshme, isha i ri kur u bëra baba për herë të parë, por tani duket si një eksperiencë krejt tjetër, ndiej më shumë përgjegjësi. Modifikuam edhe shtëpinë, në mënyrë që djali ynë të rritet sa më mirë, zëvendësuam pllakat me parket, hoqëm mobiliet që bartnin rrezik, bëmë izolim më të mirë dhe dhomën e tij. Tomas, edhe pse pa fjalë, na tregon se ka shumë dëshirë të rrijë me ne dhe vajzën, Nensin. Mua më erdhi shumë natyrshëm që në fillim t’i thoja “Hajde te babi!”. Tani mezi pres që të shkoj shpejt në shtëpi dhe darkave nuk dal më si dikur. Shkoj në shtëpi, e shoh që më qesh, që më kap dorën, që do të luajë dhe ndihem me fat. E kuptoj se ai është aty që të na tregojë se familjen nuk e mban gjaku, por dashuria. Është një eksperiencë që do ua sugjeroja jo vetëm atyre që s’kanë fëmijë, por edhe atyre që kanë”, përfundon rrëfimin e tij të veçantë Ristani. Ne i urojmë jetë të gjatë e të lumtur Tomasit!

(m.k/PanoramaPlus/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb