Nga: FATMIRA NIKOLLI*
TIRANE – Kalimi i një linje interkonjeksioni, nuk është një problem që shfaqet rishtas. Edhe më herët, kultura e trashëgimia është përballur me energjetikën, e humbësi s’ka qenë përherë i njëjti.
Sot, mbi vendbanimin mesjetar të Komanit, Ministria e Kulturës duket se ka pranuar të kalojë një linjë interkonjeksioni, çka ka hasur në kundërshtimin e arkeologëve që prej vitesh punojnë atje. Nëse ministria këmbëngul se linja kalon në zonën arkeologjike B, gjë që e lejon ligji i trashëgimisë dhe se gjithsesi do ketë mbikëqyrje, arkeologët nga ana tjetër, pretendojnë se dëmi do jetë i madh, megjithëse në zonën B. Mbasi ka sjellë mendimet e shumë specialistëve për çështjen në fjalë, “GSH” ka kërkuar mendimin e ish-drejtorit të Trashëgimisë në Ministrinë e Kulturës. Arbër Kadia, sjell një shembull të ngjashëm, ku sipas tij, u mundësua spostimi i linjës, çka në rastin e Komanit do të ishte zgjidhja ideale. “Me sa di unë, Komani është prej kohësh një zonë ku kalon një linjë e vjetër, paçka se është një nga parqet më të rëndësishme për sa i përket identitetit tonë kombëtar shqiptar si edhe për shkencën e arkeologjisë”, – pohon Kadia.
Sipas tij, problemi në këtë rast është bashkërendimi i gjithë institucioneve shtetërore që duhet t’u japin qytetarëve shqiptarë edhe përfitimin e shërbimeve, por nga ana tjetër, edhe trashëgiminë më të mirë të mundshme, që të kenë mundësi të ndërtojnë politikën e tyre.
Pyetjes nëse ka pasur raste të ngjashme si ky i Komanit më herët dhe si janë zgjidhur, Kadia i përgjigjet: “Kemi pasur rastin e Zgërdheshit. Para disa viteve, kur unë kam qenë titullar, ne kishim një problem të ngjashëm me një linjë interkonjeksioni që vinte nga Kroacia. Dhe ne e kemi spostuar. Ndaj them se spostimi në vetvete nuk është problem”.
Duke kuptuar nevojat për zhvillim po pa shkatërruar trashëgiminë, Kadia vëren se duhet kuptuar dhe duhet pasur një qasje pozitiviste, në mënyrë që të gjitha agjencitë e shtetit të përfitojnë, për të përcjellë shërbim maksimal.
“Në princip, normalisht që është e nevojshme. Linja diku duhet të kalojë e, nga ana tjetër, ka nevojë që politika të marrë hapa të fuqishëm mbrapa, dhe të lërë ekspertët të flasin dhe jo ata që janë të konsumuar nga ndjenjat e avancimit para në politikë. Qëndron interesi kombëtar mbi gjithçka tjetër, dhe ky interes ndahet në energji, trashëgimi, sport etj.”, shënon ai, jo pa thumbuar politikisht administratën aktuale, meqë vetë Kadia bënte pjesë në administratën e djathtë.
Zgërdheshi, fshat afër Krujës ku mendohet se gjendet qyteti ilir i Albanopolit, sipas Kadisë, ia doli t’i shmangte shtyllat. “Në Zgërdhësh vajtën ekspertët tanë të Agjencisë Kombëtare të Arkeologjisë. Drejtoria e Tiranës vendosi në dispozicion logjistikën, që u bënë matjet. Nga një pikë që qe vendosur, u spostua më tutje. Them se duhet të ketë qasje që të bëhen gjërat në mënyrë të tillë që të përfitojnë të gjitha agjencitë, duke minimizuar rrezikun dhe dëmin që mund t’i bëhet qoftë energjisë, qoftë trashëgimisë”.
Mandej, ish-drejtori i Trashëgimisë, nuk lë pa thumbuar as Forumin për Mbrojtjen e Trashëgimisë, një bashkim specialistësh e dashamirësish që dikur qenë shumë aktivë, e tani pothuajse të pandjeshëm, së paku publikisht.
“A duhej të ishin këta njerëz që sot janë memecë e nuk flasin për çdo gjë që i ndodh trashëgimisë kulturore? Ky është problem më vete. Rasti i shatërvanit të Durrësit, rasti i Komanit e të tjera, a nuk duhej të kishin vrullin e mbrojtjes që kishin monumentet e tjera nga Forumi i Trashëgimisë?” – pyet Kadia. Ai shton më tutje se, Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë duhet të merret në konsideratë dhe duhet forcuar si institucion, dhe rasti në fjalë e çfarë kemi parë së fundmi, nuk ta jep këtë shpresë, e as KKR. “Shpresojmë që anëtarët e forumit, tani që janë në pozitë, të kërkojnë llogari, siç bënin kur ishin në opozitë”, -shprehet Kadia.
Sa i takon shembjes së murit të Butrintit, ish-drejtori i Trashëgimisë thotë: “Unë kisha rastin e rënies së murit në kalanë e Lezhës. Ra një mur i cili qe i vjetër dhe me dëmtime dhe ndonjëherë s’ke çfarë të bësh. Në rastin e Butrintit, çështja është, cilat kanë qenë procedurat, a janë bërë verifikimet mujore për të parë rrezikun, nëse është marrë vendimi, cili është fondi i alokuar dhe kur do ketë ndërhyrje. Shpresojmë që të jetë firmë me licencë restaurimi ajo që do të punojë aty. Nëse ka një projekt, le të fitojë firma më e mirë dhe të funksionojë sistemi i kontrollit”, – e mbyll ai prononcimin për “GSH”.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
