Avokati Genc Gjokutaj përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë në studion e News24 ka folur në lidhje me betejën e humbur të shtetit shqiptar me Francesco Bechettit në arbitrazhin e Bankës Botërore.

Gjokutaj deklaroi se gjyqi i shtetit shqiptar me Bechettin është humbur në shkallën e parë dhe më pas është humbur edhe në Arbitrazhin e Bankës Botërore, vendim ky që merr formën e prerë dhe rrjedhimisht do sjellë pagimin e detyrimit ndaj investitorit italian.

Sipas tij pretendimi i kryeministrit Rama se kjo çështje u bë publike para zgjedhjeve të 14 majit është komik pasi gjykata e Arbitrazhit “nuk ndjek kalendarin politik në Shqipëri”.

Ai shtoi se çështja nuk ka lidhje me zgjedhjet dhe Rama do që ta shfrytëzojë atë për qëllimet e tij.

“Është humbur gjyqi në shkallë të parë dhe shkuam në arbitrazh. Pala shqiptare në atë gjykim ka pretenduar se ka prova të reja ndaj Bechettit për të mos paguar shumën. Pretendimi i tyre është i paligjshëm, pasi thuhet se kjo pezullon çështjen penale dhe jo të merret si provë e re dënimi i Bechettit në Shqipëri. Përfundimisht vendimi i arbitrazhit është i formës së prerë dhe duhet të paguhet pavarësisht pretendimeve të politikës.

Është një detyrim për t’u paguar. Bechetti do kërkojë në gjithë Evropën ku ndodhen paratë e shtetit shqiptar për të tërhequr shumën. Gjykata e arbitrazhit është shumë serioze, në rastin konkret është votuar në mënyrë unanime. Faktet që ka provuar arbitrazhi për shantazhimin e Agon Channel i përkasin procesit.

Nuk besoj kurrsesi se gjykata e arbitrazhit ndjek kalendarin politik në Shqipëri dhe kthehet në instrument të politikës shqiptare, kjo është komike. Besoj se Rama ka parasysh organet e drejtësisë në vend dhe ka harruar për një moment që ndodhemi në arbitrazhin ndërkombëtar. Kryeministri është një nga aktorët kryesorë të kësaj historie dhe nuk e ka pranuar konfliktin, Balluku tha po ashtu që nuk jemi të detyruar të njohim këtë vendim. Çështja nuk ka lidhje me zgjedhjet dhe Rama do ta shfrytëzojë për qëllimet e tij. Kjo çështjes nuk ka filluar dje. Ky pretendim është absurd. Shqipëria është e detyruar të përgjigjet deri në fund të këtij vendimi pasi është detyrim ndaj këtij organizimi financiar që na ka ndihmuar në momentet më të vështira të vendit.

Janë 4 studio ndërkombëtare që kanë marrë pjesë në gjykim, shpenzimet nuk janë bërë transparente. Dimë detyrimin e shtetit shqiptar. Unë mendoj se një zyrë serioze avokatie kursen kohë dhe para duke rekomanduar një zgjidhje tjetër. Insistimi për të mos paguar para i çon jo vetëm në pagesën e kësaj shume por edhe penalitete të tjera. Kjo histori ka mbaruar, jemi në fazën e ekzekutimit. Kompanitë e Bechettit kanë marrë paratë e tyre edhe në raste të tjera. Ai do synojë gjithë depozitat e Shqipërisë në Europë deri në plotësimin e asaj shume të caktuar.

Rasti duhet të ishte krejt tjetër. Bechetti duhet të trajtohej nga ligji shqiptar fillimisht, i kapur në faj dhe çështja nuk do përfundonte kështu. Duhet të kishte të tjera veprime për situatën me AGON Channel”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb