Ardi Veliu konfiskoi dosjet dhe materialet e gazetarëve të News24, Gjykata merr vendimin: Veprim i paligjshëm, sendet të rikthehen. Të lirohet godina e dytë!
12 Gusht, 2025 22:30
Madhësia e tekstit:
Gjykata e Tiranës shpalli të paligjshme veprimet e drejtorit të KAYO, Ardi Veliu, ndaj News24 dhe mediave të “Focus Group”.
Gjykata vendosi që “Panorama Group” sh.a të kthehet te ambientet të cilat të shtunën në orët e para të mëngjesit u zaptuan nga Policia e Shtetit dhe KAYO e Ardi Veliut.
Gjykata vendosi që gazetarët të aksesohen në mjediset e kompanisë dhe brenda 48 orëve të rikthehen sendet dhe materialet që KAYO mori me kamionë.
Gjithashtu, Gjykata e Tiranës vlerëson të paligjshëm ndërhyrjen dhe kufizimin e gazetarëve dhe pengimin e tyre në ushtrimin e detyrës.
Për katër ditë me radhë, News24 u vendos përpara një presioni të paprecedentë, që nisi me bastisjen e zyrave në orët e para të mëngjesit të ditës së shtunë pa një vendim gjykate, nga Policia e Shtetit dhe punonjësit e kompanisë shtetërore KAYO. Televizionit më të madh informativ në vend iu fik sinjali i transmetimit, ndërsa gazetarët, stafi teknik dhe punonjësit e tjerë u nxorën jashtë dhe nuk u lejuan të aksesonin vendet e tyre të punës.
Ndërsa pasditen e djeshme, kompania KAYO kreu akte të tjera të paligjshme ndaj News24, duke shembur përmes IKMT-së objektin ku ruheshin pajisjet e transmetimit. Në orët e vona u plaçkitën zyrat dhe me dhjetëra kamionë u grabitën dosjet dhe materialet e gazetarëve, vendndodhja e të cilave nuk ende nuk dihet.
Kjo dhunë solli reagime të forta nga komuniteti i gazetarëve, organizatat ndërkombëtare, përfaqësues të politikës, aktivistë dhe qytetarë të shumtë të cilët u solidarizuan me News24 dhe stafin e televizionit.
Gjatë 4 ditëve radhazi, News24 transmetoi vetëm në kanalin e Youtube.
Më 12 gusht 2025, gjykata vendosi në favor të Panorama Group SHA, duke urdhëruar që brenda 48 orëve kompania KAYO të rikthente posedimin e ambienteve dhe të kthente të gjitha sendet e marra në mënyrë të paligjshme, duke e vlerësuar gjithashtu si të paligjshme ndërhyrjen në sendet personale dhe të punës së gazetarëve.