Avokati Arben Llangozi ka publikuar një reagim të fortë në rrjetet sociale kundër Ardi Veliut, i cili nën drejtimin e shoqërisë “KAYO”, ka ndërmarrë një aksion brutal, teksa ka zaptuar ambientet e News24, Panorma TV, BalkanWeb, Gazetës Panorama, Panorama Sport, Gazetës Shqiptare dhe Radio Rash të shtunën e 9 gushtit.

Aksioni i KAYO bllokoi punën e gazetarëve dhe shkaktoi dëmë në ambientet e mediave të Focus Group, ndërkohë që u hoq sinjali i TV News24 dhe Panorama TV, po ashtu gazetarët u nxorrën forcë nga redaksit e lajmeve.

Në postimin e tij, Llangozi e përshkruan periudhën kur Veliu drejtonte Policinë e Shtetit si një kohë ku uniforma blu “humbi kuptimin e saj” dhe u kthye në mjet për shërbime politike dhe pazare me botën e krimit. Sipas tij, përgjimet e operacionit “SKAI” tregojnë bashkëpunimin e hapur të elementëve kriminalë me segmente të policisë, duke krijuar një “panoramë të turpshme” për institucionin e rendit.

Avokati ngre edhe akuza për tendera të dyshimtë gjatë drejtimit të Veliut, duke përmendur një rast të vitit 2018, ku Policia e Shtetit mori me qira një automjet për 50 euro në ditë – një kontratë që në katër vite arriti në 72 mijë euro, shifër që, sipas tij, do të mjaftonte për të blerë disa automjete të reja.

“Ky nuk ishte thjesht keqmenaxhim financiar, por planifikim i qartë i korrupsionit,” shkruan Llangozi, duke shtuar se në një vend normal, një drejtues i kapur me një aferë të tillë do të ishte përballë gjykatës dhe jo në poste të reja drejtuese.

Pas largimit nga policia, Veliu u emërua në krye të kompanisë shtetërore të prodhimit të armëve KAYO – një vendim që Llangozi e quan “absurd kombëtar”, duke akuzuar se i janë dhënë armët e shtetit një njeriu që “e çarmatosi policinë dhe armatosi krimin me mosveprim”.

Ai mbyll reagimin me pyetjen retorike: “Sa ‘Ard Veliu’ të tjerë mbajnë poste sot, duke përgatitur tenderin e radhës për të grabitur paratë e publikut?”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb