Ish-Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani do marrë 12 paga dëmshpërblim nga Banka e Shqiperise. Vendimi u dha sot nga Gjykata Administrativëe e Shkallës së Parë këtë të enjte, duke i rrëzuar të gjitha kërkesat e tjera që Fullani përmes avokatëve kishte bërë në gjykatë.
Kështu Gjykata ka hedhur poshtë kërkesën e Fullanit për rikthim në detyrë si dhe për dëmshpërblim për dëmin moral të shkaktuar. Gjykata shpjegon se padia është bërë jashtë afateve të përcaktuara, që në këtë rast janë një vit.
Në argumentin e Gjykatës theksohet se arrestimi dhe dënimi i ish-guvernatorit nuk është bërë as nga banka dhe as nga Kuvendi i Shqipërisë.
Sakaq Gjykata ka pranuar kërkesën e Fullanit për 12 muaj pagë dëmshpërblim nga Banka e Shqipërisë, por ka rrëzuar kërkesën për 15 milionë lekë kompensim për dëmin moral.
Shqyrtimi nga Gjykata Administrative i kërkesës së ish-Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, kundër Bankës së Shqipërisë dhe Kuvendit nisi në prill.
Në tetor 2015 gjykata e Tiranës e shpalli të pafajshëm Ardian Fullanin për akuzën e shpërdorimit të detyrës për vjedhjen e 713 milionë lekëve, që u quajt skandali i vjedhjes së Thesarit.
Padia e Fullanit
Në rolin e paditësit në këtë gjykim, Fullani kërkoi shfuqizim të vendimit që e “zhveshi” nga detyra e Guvernatorit. Ai kërkoi të dëmshpërblehet për pagat e mohuara, si dhe dëmshpërblim moral. Përfaqësuesit ligjorë të Bankës së Shqipërisë i kërkuan Gjykatës të mos e pranojë padinë e ish-Guvernatorit, që fitoi pafajësi në lidhje me skandalin e vjedhjes së 713 milionëve në thesarin e BSH.
Në lidhje me kërkesën e paditësit Fullani për dëm moral, juristi i BSH pretendoi se ish-Guvernatori është shkarkuar konform procedurave, për shkak të shkeljeve ligjore gjatë ushtrimit të detyrës dhe jo për shkak të dyshimeve për përfshirje në skandalin e vjedhjes në Bankën e Shqipërisë. Pretendimet e tyre u kundërshtuan nga avokatët e Fullanit, Maks Haxhia dhe Erinda Ballanca.
Fullani kerkoi pagen per 50 muaj
Ish guvernatori Ardian Fullani kërkoi një dëmshpërblim prej rreth 37.68 milionë lekësh nga Banka e Shqipërisë dhe Kuvendi, të cilat i ka paditur në gjykatë për ndërprerjen e mandatit të tij si Guvernator.
Fullani u shkarkua në shtator të viti 2014 dhe në padinë që ka depozituar pranë Gjykatës Administrative, kërkon pagën dhe përfitimet e tij si guvernator dhe anëtar i Këshillit Mbikqyrës. Mandati i tij do duhej të mbaronte më nëntor të viti 2018, që do të thotë se Fullani kërkon pagën e tij për 50 muaj.
Paga si guvernator në BSH– 6.307.308 paga
Honorare si anëtar i KM në BSH vjetore– 2.737.800 KM honorare.
Pafajesia e Fullanit
Në dhjetor te vitit 2015, Gjykata e Apelit i dha Fullanit pafajësinë. Apeli vendosi që të linte në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës, që i dha pafajësi Fullanit. E veçanta në këtë proces gjyqësor ishte kohëzgjatja, pasi brenda një seance, trupi gjykues dëgjoi prokurorinë, e cila kërkoi pesë vjet burg për ish-guvernatorin, avokatët që kërkuan pafajësi dhe në fund shpallën vendimin: faktet e paraqitura nga prokuroria nuk përbëjnë vepër penale. Në apel, prokuroria paraqiti të njëjtat fakte si në Shkallën e Parë. Akuza kërkonte shpalljen fajtor të Fullanit për akuzën e shpërdorimit të detyrës, si dhe dënimin e tij me pesë vjet burgim. Në vendimin e pafajësisë, të dhënë nga trupi gjykues i Shkallës së Parë me kryesues Artan Gjermenin, argumentohej se në veprimet dhe mosveprimet e Fullanit si guvernator i Bankës së Shqipërisë, që ndikuan në vjedhjen e bankës, prokuroria nuk ka mundur të gjejë lidhjen që ish-guvernatori ka me vjedhjen dhe për pasojë ai prezumohet i pafajshëm. Lidhur me akuzën e shpërdorimit të detyrës me dëm ekonomik për tenderin 30 milionë euro për blerjen e hotel “Dajtit”, gjykata argumentoi se Fullani nuk ka kryer vepër penale, pasi hoteli, pavarësisht çmimit të transaksionit, është një aset shtetëror. Këto argumente u ligjëruan edhe nga Apeli. Ndërkohë, në muajin janar te ketij viti, prokurori dogji kohën e dërgimit të kësaj çështjeje në Gjykatën e Lartë, duke i dhënë pafajësi të plotë ish-guvernatorit.
(d.b/BalkanWeb)
