Drejtuesi i LSI-së në qarkun e Beratit, Ardit Çela, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, duke folur për situatën në vend, deklaroi se është turp për Shqipërinë që ende nuk ka Gjykatë Kushtetuese.

“Është turp që Shqipëria është pa Gjykatë Kushtetuese. Kujtojmë edhe përgjigjet e Komisionit të Venecias.  Për mua do të ishte lajm shumë i mirë që të ngrihet GJK. Duhet që të ngrihet GJK, për të pasur një shtet funksional”, tha Çela.

Ardit Çela theksoi se dosja 184 dhe 339 janë tregues të qartë se shteti dhe krimi bashkëpunojnë.

“Dosja 184 dhe 339 dhe të tjerët janë tregues të qartë se krimi, shteti dhe pushteti bashkëpunojnë, ngjashëm me grupet e strukturuara kriminale. Drejtësia humbi rastin për të bërë drejtësi. Dosja shkoi sa në një prokurori në tjetrën. Vërtetohet qartë se zgjedhjet janë vjedhur, por thuhet se vepra penale ka tejkaluar edhe kohën. Dosja 184 është tregues se më 25 prill do të duhet të ndryshojë gjithçka. Me këtë qeveri është e pamundur që të ketë drejtësi”, u shpreh Çela.

Më tej, Çela foli për projekt-buxhetin e 2021, duke thënë se i është kushtuar tërësisht 3-4 njerëzve pranë Ramës.

“Qeveria jep shifra të tjera dhe FMN të tjera. Të ardhurat që parashikohen shkojnë për koncesione, për pasurimin e 3-4 vetëve. Kjo qeveri çon në burg njerëz për 20 lekë, kurse pasanikët pasurohen akoma më shumë. Të ardhurat fatkeqësisht shkojnë për PPP-të dhe koncesionet. Edhe në shëndetësi kemi vetëm rritje page, por jo përmirësim kushtesh në spital”, deklaroi Çela.

Sipas Çelës, viti 2020 ishte një vit i trishtë për shqiptarët, për shkak se shumë prej tyre janë pa punë dhe gjenden më keq se një vit më parë.

“Viti 2020 ishte një vit i trishtë për shqiptarët. në fund të këtij viti, shqiptarët janë më të papunë dhe janë më keq se një vit më parë. Qeveria socialiste, që ka të gjitha pushtetet, nuk ka bërë sa duhet. Pandemia e ka vështirësuar jetën e shqiptarëve. Qeveria duhet të bënte më shumë nga sa ka bërë.

Maxhoranca nuk ka marrë masat e duhura për pandeminë. FMN shprehet se jemi të fundit për ndihmë ndaj qytetarëve për Covid-19. Edhe rindërtimi ishte gënjeshtër, pasi jo të gjithë do e kalojnë Vitin e Ri në shtëpi. Ka vetëm propagandë. Procesi i rindërtimit ka qenë shumë i ngadaltë”, u shpreh ai.

Çela deklaroi se qeveria gënjeu qytetarët në Berat, duke i lënë në mëshirë të fatit.

“Qeveria kë bërë propagandë dhe nuk ka bërë punë në berat. U premtua ishull në Osum e sot nuk ka asnjë ishull. Skrapari me Përmetin nuk lidhen për 5 km rrugë. Rruga Skrapar – Përmet duhet të kishte mbaruar, por i çojnë lekët për PPP, për koncesione.

Qarku i Beratit është lënë në mëshirë të fatit, prezenca e qeverisë është thuajse. Është për të ardhur keq, sepse qarku Berat ka potenciale të jashtëzakonshme. Qarku ka zona vërtetë prodhuese, por mbështetja e qeverisë thuajse ka qenë zero”, vlerësoi Çela.

Po ashtu, Ardit Çela theksoi se LSI do të marrë 3 mandate në Berat dhe se për këtë gjë është totalisht i bindur.

“Turistët në Berat nuk rrinë më shumë se gjysmë dite, sepse nuk ofrohet diçka ndryshe. Kuçova është edhe bazë e NATO-s, është qytet me industri, por qeveria ka largur investitorët e huaj. S’mund të ketë turistë, pa Gjykatë Kushtetuese.

Ne mendojmë se do shumëfishojmë mbështetjen ekonomike për fermerët, si dhe biznese të tjera. kanë nisur projekte dhe kanë përfunduar me gjerë ordinere. Ne do të marrim 3 mandate në Berat. Gjendja është e mjerueshme dhe njerëzit urrejnë këtë qeveri. Ne do kthejmë besimin”, përmbylli Çela.

(d.xh/ balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb