Numri i viktimave në Argjentinë, si pasojë e përdorimit të fentanilit mjekësor të kontaminuar me bakterin Klebsiella pneumoniae, është rritur në 48. Lajmi konfirmohet nga buletini më i fundit epidemiologjik i lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë.
Sipas raportit, vdekjet janë regjistruar në 11 spitale të ndryshme në vend, gjatë disa javëve, duke filluar nga data 8 maj 2025. Autoritetet paralajmërojnë se ky është rasti më i rëndë i infektimit të shkaktuar nga një ilaç në historinë e kohëve të fundit në Argjentinë.
Dyshohet se numri real i viktimave mund të jetë edhe më i lartë, pasi shumë raste të vdekjeve nga infeksioni i pneumonisë mund të kenë kaluar pa u evidentuar në të kaluarën e afërt.
Në qendër të hetimeve të nisura nga autoritetet shëndetësore dhe gjyqësore ndodhet kompania farmaceutike argjentinase HLB Pharma Group S.A, e akuzuar për shpërndarjen e shisheve të fentanilit të ndotura me bakterin e rrezikshëm.
Autoritetet kanë deklaruar se të gjitha viktimat kishin marrë të njëjtën sasi të fentanilit, e cila vinte nga ky laborator. Çdo rast i diagnostikuar me “sëmundje invazive” – përfshirë pneumoninë dhe meningjitin – tek pacientët që kanë përdorur Fentanyl HLB në periudhën nga nëntori 2024 deri më 15 maj 2025 konsiderohet tashmë i dyshimtë dhe në hetim të plotë.
Autoritetet shëndetësore po vazhdojnë ndjekjen epidemiologjike dhe kanë kërkuar ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të këtij produkti.
