Arkitekti i mirënjohur italian, Massimo Roj, një nga emrat më të spikatur të dizajnit urban në Evropë, është parë ditën e sotme në një nga ambientet pranë stadiumit “Air Albania”, duke shijuar një nga produktet më të dashura shqiptare, birrën Korça.
Pas më shumë se një dekade nga vizita e tij e fundit në kryeqytetin shqiptar, Roj është rikthyer në Tiranë dhe nuk ka fshehur habinë e tij për transformimin mbresëlënës të qytetit.
“Ndryshimet janë të jashtëzakonshme. Ritmi i zhvillimit është i papërfytyrueshëm për një dekadë. Kisha lexuar e dëgjuar, por tani që e shoh me sytë e mi, mund të them pa rezerva se Tirana ka fituar një identitet të ri përmes arkitekturës së saj të guximshme dhe kreative”, u shpreh ai.

Arkitekti theksoi se përveç frymës moderne që tashmë dominon në sheshe dhe ndërtesa, ajo që e bën të veçantë Tiranën është bashkëjetesa harmonike midis së vjetrës dhe së resë, një kombinim që sjell gjallëri urbane dhe autenticitet.
Ndërsa biseda e tij me miqtë shoqërohej me një gotë e freskët me birrë Korça, zgjedhja e tij, simbol i shijes tradicionale shqiptare që i reziston kohës dhe mbetet ndër më të preferuarat, edhe për mysafirët ndërkombëtarë.

Kjo vizitë dhe vlerësimi nga një emër kaq i njohur në fushën e arkitekturës është një tjetër dëshmi e imazhit gjithnjë e më tërheqës që Tirana po fiton në arenën ndërkombëtare – një qytet që nuk ofron vetëm zhvillim, por edhe përjetime autentike si shija e birrës Korça, pjesë e trashëgimisë shqiptare.
Kush është Massimo Roj?
Massimo Roj është një nga figurat më të spikatura të arkitekturës bashkëkohore italiane, me një karrierë që shtrihet prej më shumë se tre dekadash në fushën e dizajnit urban, projekteve të qëndrueshme dhe zhvillimit teknologjik të hapësirave urbane.
I lindur në Milano dhe diplomuar në Politeknikun e këtij qyteti në vitin 1986, Roj ka ndërtuar një profil profesional të fuqishëm që e ka vendosur në qendër të skenës ndërkombëtare të arkitekturës.
Në vitin 1994 ai themeloi Progetto CMR, një studio multidisiplinare që sot numëron mbi 300 profesionistë, mbi 4000 projekte me mbi 1500 klientë në më shumë se 12 vende të botës. Projektet e tij janë vlerësuar me mbi 50 çmime ndërkombëtare. Studioja është e specializuar në dizajn të integruar, arkitekturë urbane, projektim të ndërtesave të qëndrueshme dhe krijimin e hapësirave që i përgjigjen nevojave të kohës moderne. Filozofia e Roj është e qartë: arkitektura duhet të jetë një përbashkët e estetikës, teknologjisë dhe ndjeshmërisë njerëzore – duke kontribuar në mirëqenien sociale dhe mjedisore të qyteteve.
Roj ka punuar për brendet më të mëdha botërore si Ferrari, IBM, ENI, Allianz, Generali dhe ka fituar vlerësime të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë edhe Compasso d’Oro ADI 2024, një nga çmimet më prestigjioze në fushën e dizajnit industrial.
Përveç praktikës arkitekturore, ai është i angazhuar edhe në botën akademike si lektor i ftuar në universitete në Itali, Kinë dhe më gjerë, duke ndarë eksperiencën dhe vizionin e tij me gjeneratat e reja. Që nga viti 2017, Massimo Roj mban edhe titullin Ambasador i Dizajnit Italian në Botë, një rol përfaqësues që reflekton kontributin e tij në promovimin e kulturës dhe krijimtarisë italiane globalisht.
I lidhur ngushtë me filozofinë e qëndrueshmërisë, Massimo Roj është një arkitekt i kohës së sotme, por që projekton për të ardhmen – me bindjen se çdo ndërtesë, çdo hapësirë dhe çdo qytet mund të jetë më i gjelbër, më njerëzor dhe më inteligjent.
(BalkanWeb)
