Arkitektja Dorjana Musai, e pranishme në protestën e 89-të qytetare para Kryeministrisë, ka folur për problematikat me të cilat përballet Tirana, duke u ndalur te trafiku, ndërtimet dhe zhvillimi urban i kryeqytetit.
Ajo kritikoi mënyrën se si është trajtuar problematika e trafikut në Tiranë, duke thënë se përgjegjësia është zhvendosur te qytetarët.
“Kryebashkiaku na mësonte që të ecnim me biçikletë, ta linim në shtëpi makinën. Problemi u bëmë ne. Ne bëjmë trafikun, marrim makinën, ne parkojmë keq, s’dimë të qarkullojmë”, tha arkitektja.
Musai u ndal edhe te ndërtimet dhe ndërhyrjet urbane, duke kujtuar kundërshtimet për betonizimin e zonave të gjelbra. Më tej, arkitektja përmendi edhe zonën pranë stadiumit, duke kritikuar zhvillimin urban dhe numrin e madh të lokaleve.
“Betoni për ta nuk është vetëm material ndërtimi, është forca e tyre. Kur betoni bëhet forma e pushtetit, ai kërkon vazhdimisht territor të ri. Nuk kurseu qytetin e vjetër, vilat, lagjet e vjetra të Tiranës, lulishtet mes pallateve. Më pas dolën nga qyteti, shkuan te tokat bujqësore. Shkuan në bregdet, në Zvërnec e deri te lagunat. Dhe tani, me Paketën e Maleve, po ngjiten drejt pyjeve dhe maleve, model që kërkon territorin e ardhshëm që mund të kthehet në kantier.
Ndryshimi i planeve, statuset e veçanta, investitori strategjik, ligji 21/24 dhe instrumentet që flasin në çdo letër për zhvillim. Kur pushteti përdor fuqinë e vet për të hapur territorin ndaj një interesi dhe pastaj e vendos atë përballë komunitetit që jeton aty, investitori strategjik bëhet levë. Çfarë ka prodhuar gjithë ky ndërtim? Kemi ndërtuar më shumë apartamente, por një çift i ri e ka të vështirë të blejë një prej tyre. Të rinjtë vazhdojnë të ikin.
Tokën bujqësore e kemi kthyer në truall. Kush po i blen të gjitha këto? Popullsia po bie, të rinjtë po largohen, familjet po bëhen më të vogla, ndërsa ne vazhdojmë të ndërtojmë sikur Shqipëria po mbushet me njerëz? Miliarda euro futen në beton pa pyetur mjaftueshëm nga vijnë këto para”, tha ajo.
