TIRANE- Deputeti socialist Armando Prenga dorëzon mandatin e deputetit. Me anë të një letre dërguar kreut të Kuvendit Ilir Meta, deputeti sqaron arsyet e dorëheqjes.
prenga-mandati
Prenga thotë se e mori këtë vendim për qetësinë e tij dhe të familjes, ndërsa i konsideroi shpifje dhe të padrejta deklaratat e opozitës për të.

Prokuroria ka kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të mandatit të deputetit Armando Prenga më 15.02.2017, pasi ky i fundit nuk ka respektuar kërkesat për plotësimin e të dhënave, në kuadër të ligjit të Dekriminalizimit, duke mos deklaruar një dënim të formës së prerë nga Gjykata e Kurbinit, si edhe precedentët penalë në Itali.

Kujtojmë se mandati i deputetit, Armand Prenga u shndërruar dhe në një përplasje mes kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba. Kreu i KQZ-së i kërkoi Prokurorisë dokumente shtesë për të argumentuar kërkesën për heqjen e mandatit të deputetit Prenga. Gjatë paradites së shtunë, Prokuroria e Përgjithshme më shumë sesa një përgjigje, i ka dërguar KQZ-së dhe kryetarit të saj faktin që provën kryesore për ndërprerjen e mandatit tashmë e kishte në dosje. Sipas prokurorisë, mjafton vetëm fakti që Prenga nuk ka deklaruar një vendim penal ndaj tij të Gjykatës së Kurbinit, që atij t’i ndërpritej menjëherë mandati. Përveç kësaj, Prokuroria i kujtoi KQZ-së, se ka vetëm 10 ditë kohë për shqyrtuar dhe vendosur në lidhje me mandatin e deputetit Prenga dhe se kjo kohë ka filluar që nga data 15 shkurt, kur i ka dërguar kërkesën për ndërprerjen e mandatit dhe këtë të shtunë ky afat ligjor, sipas prokurorisë përfundoi.
(m.a/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb