TIRANE-Deputeti socialist Armando Prenga duket se e ka hedhur pas krahëve momentin kur me pranga në duar i drejtohej Gjykatës, pasi sot i lirë i është drejtuar Kuvendit. Prenga ka shkuar sot në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë aty ku raportoi Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, lidhur me vizitën e Sekretarit Amerikan të Shtetit John Kerry dhe mesazhet e dhëna lidhur me çështjet e sigurisë ku Shqipëria është e angazhuar.
Pas komisionit, për kuriozitetin e mediave, Prenga foli shkurt duke u shprehur se është përjashtuar nga PS dhe se nuk do të kthehet më në parti. Ndërkaq ai shton se do të marrë pjesë rregullisht në komisionet e Kuvendit dhe punimet e Parlamentit.
“Jam përjashtuar dhe nuk kthehem më në PS. Do të marr pjesë rregullisht në komisione e Parlament”.
Prenga thekson se po pret me qetësi vendimin e Gjykatës së Lartë.
I pyetur nëse do të qëndrojë apo jo në politikë, Prenga shprehet se; “Do mbaroj mandatin dhe më pas do të do shoh nëse do rri në politikë”
Kujtojmë se PS u distancua nga ngjarja e Kurbinit ku u përfshi deputeti Prenga. Ditën e Premte Armando Prenga u lirua zyrtarisht nga Gjyktata, kurse sot kthehet në Kuvend si deputet i PS, ndërsa anëtarët e familjes Cali që u kërcënuan dhe u plagosën nga Prenga dhe njerëzit që kishte me vete kanë mbetur në burg.
(d.b/BalkanWeb)
