Ervin Kaftiraj është arrestuar nga Antidroga e Tiranës.
Gazetarja Xhensila Kodra raporton se ky i fundit u prangos në një restorant të njohur në periferi të kryeqytetit ku iu gjet mbi 1 kg kokainë.
Sektori i antidrogës kishte disa muaj që e kishte në përgjim dhe në ndjekje. Kaftiraj është i emër i njohur pasi merret me makina me qira luksoze dhe mjete retro.
Agjentët e Antidrogës po vijojnë hetimet për zbulimin e personave të tjerë të përfshirë.
“Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, në kuadër të një procedimi penal ndjekur me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Cargo 1”.
Si rezultat i këtij operacioni, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. K., 45 vjeç, banues në Tiranë.
Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në një parkim, në afërsi të Rrethrrotullimit të Tegut, shtetasin E. K., të cilit iu gjet një sasi lënde narkotike kokainë, që dyshohet se e posedonte me qëllim shitjen në sasi, në zona të ndryshme të Tiranës.
Më tej, gjatë kontrollit të banesës, iu gjet 1 armë gjahu dhe 1 armë sportive.
Lënda narkotike, së bashku me 1 motomjet, 1 aparat celular, 1 armë gjahu dhe 1 armë sportive, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
