Policia e Lushnjës ka arrestuar dy shtetas në flagrancë, njëri për armëmbajtje pa leje dhe tjetri për trafikimin e narkotikëve.
Një 23-vjeçar u kap i dehur dhe me një pistoletë sportive në automjet, ndërsa një 35-vjeçar u arrestua për posedimin e 12 dozave kokaine. Në pranga ranë shtetasit Denis Veliu dhe Orestian Shkurti.
Të dyja rastet janë dërguar në Prokurori për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Lushnjë/Kontrolle të vazhdueshme, për goditjen e paligjshmërive dhe për garantimin e sigurisë publike.
✅️Me armë sportive pistoletë, në automjetin që drejtonte në gjendje të dehur, vihet në pranga 23-vjeçari.
✅️Arrestohet 1 shtetas që siguronte lëndë narkotike Kokainë dhe e shiste në doza, në Lushnjë.
Si rezultat i kontrolleve dhe administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë informative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, në bashkëpunim me shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe me shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore, arrestuan në flagrancë shtetasit:
-D. V., 23 vjeç, banues në Lushnjë, pasi gjatë kontrollit në automjetin që drejtonte në gjendje të dehur, u gjet 1 armë spotive pistoletë, e cila u sekuestrua me cilësinë e provës materiale;
-O. Sh., 35 vjeç, banues në fshatin Karbunarë, pasi posedonte 12 doza Kokaine, të gatshme për shitje, të cilat u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
