Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas dispononte armë dhe municion luftarak, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Befasia”.
Gjatë operacionit, në banesën e shtetasit L. J., 62 vjeç, në fshatin Markatomaj, Lezhë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri automatike me 3 krehëra, 414 fishekë luftarakë, 6 granata difensive dhe 5 ndezëse detonatorësh të unifikuar.
Në vijim të veprimeve procedurale, 62-vjeçari u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
