Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar nga Kukësi se opozita është e gatshme të bashkëpunojë me çdo forcë politike që e konsideron largimin e Edi Ramës nga pushteti si një qëllim të përbashkët, edhe nëse mes tyre vijojnë të ekzistojnë kundërshti politike. Gjatë një takimi me strukturat e PD-së në Kukës, Has dhe Tropojë, Berisha iu referua parimit “Armiku i armikut tim është aleati im”, duke theksuar se bashkëpunimi kundër qeverisë nuk nënkupton bashkimin politik apo heqjen dorë nga identiteti i secilës forcë.
“Ne thamë me këtë, dakord, ti je armiku ynë. Ti nuk do të na shohësh mbi faqen e dheut, por në qoftë se ti konsideron Edi Ramën të keqen më të madhe të këtij kombi, hajde të bashkëpunojmë, ta rrëzojmë dhe prapë armiq mbetemi. Të votojnë të lirë qytetarët shqiptarë dhe secili në rrugën e vet. A ishte i drejtë ky qëndrim? Ishte shumë i drejtë. Dhe ky është qëndrimi i njerëzve të qytetëruar që vënë të parin, para flamurit të partisë, flamurin e kombit. Para partisë, vënë Shqipërinë”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së u shpreh se ky qëndrim ka ndikuar pozitivisht në perceptimin e qytetarëve ndaj opozitës, ndërsa pretendoi se Partia Demokratike është sot më e përgatitur se kurrë për një fitore ndaj qeverisë së Edi Ramës.
Gjatë fjalës së tij, Berisha vlerësoi historinë 35-vjeçare të PD-së, duke e cilësuar atë si forcën politike që udhëhoqi përmbysjen e komunizmit dhe vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri.
Në takimin me demokratët e Kukësit, Hasit dhe Tropojës, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po e çon vendin drejt një regjimi që, sipas tij, synon të dobësojë pluralizmin politik dhe të nxisë largimin masiv të shqiptarëve nga vendi. Ai falënderoi mbështetësit e PD-së për votën dhe qëndresën në zgjedhjet e fundit, duke thënë se mbështetja e tyre ishte një votë për mbijetesën e pluralizmit, lirisë dhe dinjitetit të qytetarëve. Berisha u ndal edhe te protestat e zhvilluara gjatë muajve të fundit, duke vlerësuar veçanërisht përfshirjen e studentëve dhe gjimnazistëve në revoltën kundër qeverisë. Sipas tij, lëvizja qytetare dhe protestat e të rinjve kanë shënuar një moment të rëndësishëm në përballjen politike me kryeministrin.
“E vërteta është, studentë dhe gjimnazistë i dhanë atij dënimin, vdekje politike pa apel!”, u shpreh kreu i demokratëve, duke iu referuar protestave dhe qëndrimit të të rinjve ndaj qeverisë Rama.
Në përfundim, Berisha i cilësoi gjashtë muajt e fundit si një periudhë pozitive për opozitën dhe lëvizjen qytetare, duke pretenduar se revolta ka kapërcyer kufijtë e përkatësive partiake dhe ka përfshirë qytetarë me bindje të ndryshme politike.
