– Struktura për të zhdukurit pranë Autoritetit ngre dyshime të arsyeshme për vendvarrimin e tij si dhe zgjeron hetimeve me marrjen në pyetje të personave që mund të kenë dijeni.

“E nderuar gjykatë,
Me akuzuan për tradhti gjë që në thellësie të ndërgjegjes nuk ekziston, por qëllimi ka qenë vetëm arratisja nga kampi, mbasi isha i mërzitur shumë nga burgu i gjatë që kisha bërë dhe mërzitja e tepërt më bëri që ta humbas logjikën dhe të marr rrugën e arratisë duke mos i shikuar pasojat që do të rrjedhin nga kjo rrugë.”
Kjo është letra që Ahmet Hoxha, një burrë i ri, 39 vjeç, ia drejton Gjykatës së Rrethit, pas tentativës së tretë, të dështuar, të arratisjes nga burgu i Spaçit, Sot, 45 vjet nga pushkatimi, ai është ende i zhdukur dhe Autoriteti ka dyshime të arsyeshme për vendin ku mund të prehen eshtrat e tij.

Sot Ahmet Manxhar Hoxha, do të ishte 84 vjeç. Ai u burgos që në moshën 18-vjeçare. Lindi në 12.2.1940 dhe vdiq 31.1.1979. Ishte nga Kolonja e Gjirokastrës dhe u dënua tre herë nga regjimi komunist, në vitet 1958, 1963 dhe 1978, përkatësisht me 20, 25 vjet heqje lirie dhe së fundi me vdekje, me akuzat “ tradhti ndaj atdheut dhe vepra terroriste të mbetura në tentativë.”

Hera e fundit e tentativës për arratisje ishte në datën 10.10.1978 nga reparti nr. 303 i Spaçit, së bashku me Sali Çakon. Babai i tij u vra nga forcat komuniste në 1946. Ai punoi si skllav nëpër kampet e tmerrshme të punës së detyruar dhe ndoqi deri në fund të jetës së tij ëndrrën e lirisë.

Në arkivin e ish-Sigurimit të Shtetit për shtetasin Ahmet Maxhar Hoxha gjenden: dosja e hetuesisë nr. 9102-A, 16-24 qershor 1958 (me 196 fletë), në ngarkim të shtetasit Ahmet Maxhar Hoxha dhe katër të tjerëve. Në këtë dosje flitet për dënimin e parë të tij ; Dosja nr. 9670/1-A. dosje penale me nr. 2 , filluar në 21.11.1963 dhe mbaruar 13.12.1963, (me 84 fletë), në ngarkim të shtetasve Ahmet Hoxha, Demir Shkoza e Kujtim Rustem Alia; Dosja nr. 13833/A 9 (me 33 faqe) e vitit 1963 për shtetasin Demir Shkoza, Ahmet Hoxha, Kujtim Rustem Alia, që përmban dënimin me vdekje të Shkozës, dosja me nr. 11893-A, reparti nr. 303 Spaç për shtetasit Sali Servet Çako dhe Ahmet Manxhar Hoxha (me 43 fletë), si dhe dosja e hetuesisë me nr. 11893/1 për të pandehurit (me 86 fletë).

Pas leximit të dosjes nr. 11893-A, reparti nr. 303 Spaç për shtetasit Sali Servet Çako dhe Ahmet Manxhar Hoxha, 43 fletë dhe dosja e hetuesisë 11893/1 për të pandehurit 86 fletë gjejmë të dhënat për tentativën e arratisjes se Ahmet Manxhar Hoxhës dhe dënimit të tij me vdekje.

Vepra u cilësua nga organet e represionit si e përsëritur për të treten herë, sepse edhe në vitin 1958 është dënuar një herë për tradhti ndaj atdheut dhe për vepra terroriste të mbetura në tentativë, ndërsa në 1963 është larguar nga reparti i edukimit dhe është dënuar për 20-25 vjet heqje lire. Largohet për herë të tretë me Sali Servet Çako, një tjetër i burgosur, nga reparti i riedukimit nr.303 Spaç, galeria 21, me qëllim arratisjen jashtë shtetit. Pas pesë ditësh arrati nga zona e Spaçit, Oroshit, Lurës ata arrijnë deri në zonën e Fushë-Alisë, ku edhe kapen nga forcat e ndjekjes. Më 1.12.1978 ai deklarohet fajtor për krimin e “tradhtisë ndaj atdheut” në bashkëpunim ne Sali Servet Çakon, ndërsa në datën 1.12.1978, dënohet me vdekje, me pushkatim.

Bashkudhëtari i tij Sali Çako u shpreh në pyetjet e hetuesisë se : “Mendimi për t’u arratisur mua dhe Ahmet Hoxhës na ka lindur duke u nisur nga pakënaqësitë që kishin e puna që bënim në galeri si minatorë, komentonim se neve në këtë pushtet nuk kemi asnjë perspektivë si për t’u liruar, por edhe mbas lirimit nga burgu e të gëzojmë të drejta si gjithë të tjetër dhe ajo që do na shpëtonte nga këto vuajtje është vetëm arratisja jashtë shtetit mbasi atje mendonim se kudo që të vinim në çdo shtet do të jetonim më mirë se këtu në Shqipëri.”
Siç tregon edhe Ahmeti në pyetje që i bëjnë në hetuesi : “Unë herën e parë jam dënuar në vitin 1958, kohë në të cilën kam qenë në fshat me bagëti. Në atë kohë doja të arratisesha në Greqi së bashku me një shokun tim që quhej Sh.J. i cili dhe ai ishte me bagëti dhe se gjoja doja të vrisja një njeri gjë që nuk e kam patur kurrë ndërmend një gjë të tillë dhe se në fakt ai si emër nuk ekziston fare. Për këtë jam dënuar 20 vjet.”
Sipas burimeve të Kujto.al, fjalët e tij të fundit ishin: “Zoti prokuror! Unë dua t’ju them se ju si shtet nuk jeni në rregull. Mblidheni mendjen! Shqipëria është e ndarë në dy pjesë. Pjesa më e madhe ndodhet jashtë Shqipërisë nën Jugosllavi, kurse ju këtu po vrisni njëri-tjetrin.
Unë e kam urryer këtë regjim që në fillim se është një regjim që ka ardhur në fuqi me gjak dhe prandaj nuk e dua. Kam qenë armik i këtij pushteti dhe i kësaj partie dhe jam armik i kësaj partie se ka ardhur në fuqi me gjak dhe me gjak e ka mbajtur, por edhe me gjak do mbarojë”.

Në bazë të kërkime të bëra në Mirditë, nga grupi i ekspertëve për të zhdukurit, të kryesuar nga anëtari i Autoritetit, z. Gjergj Marku, në përbërje të të cilit ka edhe ish-punonjës të policisë së burgut-kamp të Spaçit, dyshohet se në rrugën që lidh fshatrat e Kaçinarit me Rrugën e Kombit, sipas tyre, “është një vend ku mendojmë që mund të jenë varrosur eshtrat e të ndjerit Ahmet Hoxha, të cilin e kemi këqyrur dhe kemi bërë përcaktimin e koordinatave, sipas të dhënave të Autoritetit Shtetëror të Informacionit Gjeohapësinor.”

Burime të tjera që disponohen nga grupi i hetimor, tregojnë se “Ahmet Manxhar Hoxha është ekzekutuar, sipas procesverbaleve dhe vendimit të Gjykatës se Lartë, pas rrëzimit të kërkesës për falje nga ana e Presidiumit të Kuvendit Popullor, me datën 31 janar 1979 tek fillimi i Rrugës së Kaçinarit (ish -rruga e druve ) në orën 24.00”. Ekspertët kanë vendosur zgjerimin e hetimeve me marrjen në pyetje të personave që mund të kenë dijeni për vrasje e tij, me qëllim të hedhin sa më shumë drite mbi vendvarrimin e dyshuar.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb