Avokati mbrojtës i drejtorit të IEVP Durrës, Indrit Cërloj, i cili u la sot nën masën e sigurisë “Arrest me burg” nga gjykata, u shpreh se vendimi do të ankimohet, pasi përgjegjësia është individuale.

Ai u shpreh se akuza e vetme me të cilën përballet Cërloj është se që nuk ka verifikuar nëse i arratisuri Altin Ndoci ishte vizituar apo jo nga mjeku i IEVP, që sipas avokatit ishte e kuptueshme për sa kohë ka qenë mjeku ai që ka nënshkruar rekomandimin që Ndoci të vizitohej në spitalin e Durrësit.

“Sot ishim në seancë për marrjen në pyetje të personit të arrestuar. Më parë ishte caktuar masa e arrestit në burg në mungesë, gjykata vendosi vijimin e masës. Jemi dakord që ka qenë një ngjarje e rëndë por përgjegjshmëria është personale dhe çmojmë se kemi të bëjmë me interpretim të gabuar të ligjit. Gjithë akuza e drejtorit të IEVP është që ka firmosur një shkresë që një i burgosur duhet të shkojë për një vizitë në spital dhe i kërkohet përse nuk ka verifikuar nëse është vizituar apo jo nga mjeku i IEVP. Ndërkohë që në momentin kur mjeku firmos kartelën me rekomandimin për vizitën, merret e mirëqenë që është vizituar. Vendimi do të ankimohet”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb