Policia greke ka gjetur njërën prej dy makinave që dyshohet se është përdorur nga bashkëpunëtorët e të burgosurit shqiptar, i cili u arratis nga oborri i spitalit të Serres gjatë transferimit për mjekim. Sipas informacioneve të raportuara nga ERT, automjeti dyshohet se është përfshirë në një aksident gjatë arratisjes dhe ka përfunduar në një zonë me kallamishte. Në xhamin e përparmë janë konstatuar gjurmë gjaku, ndërsa dyshohet se njëri prej personave që ndodhej në makinë ka marrë dëmtime në kokë.

Brenda automjetit, policia ka gjetur një kallashnikov dhe fishekë, ndërsa janë sekuestruar edhe materiale të tjera që pritet të analizohen nga autoritetet.

Hetuesit po shqyrtojnë provat e mbledhura në automjet me qëllim identifikimin dhe lokalizimin e personave të përfshirë në arratisjen e të burgosurit.

Ndërkohë, një tjetër automjet është gjetur i djegur plotësisht në Vrasna, në komunën Volvi. Për momentin nuk është konfirmuar nëse kjo makinë ka lidhje me arratisjen, por policia greke po heton edhe këtë pistë. I burgosuri shqiptar, 41 vjeç, u ndihmua të arratisej nga persona të armatosur, të cilët iu afruan rojeve në oborrin e spitalit me makina që ngjanin me automjete policie dhe i kërcënuan me kallashnikovë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: