Dalin në dritë detaje të reja lidhur me arratisjen e Altin Ndocit, e ndodhur mesditën e së martës nga Spitali i Durrësit. Burime bëjnë me dije se Policia e Durrësit është njoftuar menjëherë pas largimit të 38-vjeçarit, duke vënë në lëvizje strukturat për gjurmimin dhe kapjen e tij.

Nga verifikimet rezulton se për shoqërimin e Ndocit drejt spitalit, policia nuk është njoftuar në asnjë formë nga Drejtoria e Burgjeve. Ndërkohë, vetëm një ditë më parë, Burgu i Durrësit i kishte kërkuar policisë shoqërimin e një tjetër të dënuari për shkak të një rasti fatkeqësie familjare, kërkesë që u përmbush nga uniformat blu.

Policia ka arritur të zbardhë itinerarin fillestar të lëvizjes së Ndocit përmes pamjeve të kamerave të sigurisë. Sipas të dhënave, pasi ka dalë nga spitali, ai është larguar me një automjet tip “Audi A7”, duke kaluar fillimisht në zonën e Spitallës, më pas është shfaqur në Shënavlash, ka vijuar në autostradë dhe dyshohet se ka hyrë në Tiranë.

Nga kontrolli i kryer në spital rezulton se Ndoci ka marrë mjekimin e nevojshëm dhe, pas përfundimit të procedurave mjekësore, ka ndërmarrë aktin e arratisjes. Policia vijon kërkimet për lokalizimin dhe arrestimin e tij.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: