KUKES – Gjykata e Shkallës së Parë në Kukës ka vendosur masën e sigurisë, “arrest shtëpie” për ish-kryebashkiakun e Kukësit, Hasan Halili.
Pasi i është komunikuar vendimi Halili është rikthyer në spitalin e Kukësit, pasi ka shfaqur probleme kardiake. Ishte pikërisht përkeqësimi i gjendjes shëndetësore që çoi në arrestimin e tij më 2 maj, por sot gjykata ka vendosur ta lërë në “arrest shtëpie”.
Ish-kryetari i Bashkisë së Kukësit së bashku me tre ish-zyrtarë të tjerë të Bashkisë akuzohen se kanë sponsorizuar ekipin e futbollit të Kukësit, duke përdorur fondet e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve në varësi të institucionit.
Shuma e shpërdoruar arrin në 45 milionë lekë të reja, e cila i është dhënë në formë sponsorizimi ekipit të futbollit të Kukësit. Nga verifikimet ka rezultuar se për periudhën 2011-2015, shumë punonjës të bashkisë kanë marrë pagën, por nuk figuronin të kishin derdhur kontributet e detyrueshme.
(er.nu/news24/BalkanWeb)
