Policia shqiptare ka arrestuar gjatë natës 45-vjeçarin Spartak Dyrmishi i kërkuar nga Greqi për përdhunim. Pas komunikimeve të shumta ditën e djeshme mes Ministrit grek të Mbrojtjes Takis Theodorikakos me homologun e tij, ministrin Bledi Çuçi në lidhje me arratisjen e Dyrmishit që akuzohet se ka përdhunuar një vajzë në zonën e Paleo Faliro në shtetin helen, policia e Vlorës ka bërë të mundur identifikimin dhe më pas arrestimin gjatë natës.

Gazetari Enrik Mehmeti ka siguruar për “BalkanWeb” pamjet nga aksioni i policisë për kapjen e Dyrmishit, i cili akuzohet se përdhunoi një 34-vjeçare në Paleo Faliro dhe tentoi të përdhunonte një tjetër 24-vjeçare në të njëjtën zonë.

Mediat greke ngritën dyshime se pas kryerjes së krimit 45-vjeçari u arratis drejt Shqipërisë të enjten e kaluar, duke kaluar në pikën kufitare të Kakavijës.

45-vjeçari Spartak Dyrmishi raportohet se është i divorcuar dhe baba i dy fëmijëve të mitur të cilët jetojnë në Shqipëri së bashku me nënën e tyre, ndërsa ai jetonte në Greqi me nënën e tij.

Sipas raportimeve të mediave greke ai kishte probleme të theksuara me alkoolin, gjë e cila është përmendur edhe nga viktima e tij e cila deklaroi se gjatë aktit të rëndë ai vinte era alkool.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb