Venezuela dhe Shtetet e Bashkuara kanë arritur një marrëveshje për eksportimin e naftës bruto me vlerë deri në 2 miliardë dollarë drejt tregut amerikan. Marrëveshja vjen vetëm pak ditë pas operacionit ushtarak në Venezuelë që çoi në arrestimin e presidentit Nicolas Maduro dhe bashkëshortes së tij, duke reflektuar qartë ambiciet e Presidentit amerikan Donald Trump për kontroll më të madh mbi industrinë energjetike të vendit latino-amerikan.

Sipas burimeve të Reuters, marrëveshja parashikon devijimin e furnizimeve të naftës që fillimisht ishin destinuar për Kinën, blerësin kryesor të naftës venezueliane gjatë dekadës së fundit. Ky hap pritet të ndihmojë Venezuelën të shmangë shkurtime më të thella në prodhimin e naftës, në një kohë kur vendi përballet me sanksione të ashpra ndërkombëtare.

Trump kërkon akses të plotë në industrinë e naftës
Presidenti Donald Trump ka deklaruar se administrata e përkohshme venezueliane duhet t’u japë kompanive amerikane dhe private “akses të plotë” në industrinë e naftës, duke paralajmëruar përndryshe ndërhyrje të mëtejshme. Ai ka pohuar se Venezuela do të furnizojë SHBA-në me 30 deri në 50 milionë fuçi naftë, ndërsa të ardhurat do të administrohen nga Uashingtoni. “Kjo naftë do të shitet me çmimin e tregut dhe fondet do të kontrollohen nga unë për të garantuar që të përdoren në dobi të popullit të Venezuelës dhe Shteteve të Bashkuara,” shkroi Trump në platformën Truth Social.

Marrëveshja po zbatohet nga Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, ndërsa nafta do të transportohet direkt nga cisternat drejt porteve amerikane. Dy burime të Reuters konfirmojnë se furnizimet fillestare për SHBA-në do të vijnë nga ngarkesa të ridrejtuara që ishin planifikuar për tregun kinez. “Trump dëshiron që kjo të ndodhë sa më shpejt për ta paraqitur si një fitore të madhe,” citohet të ketë thënë një burim nga industria e naftës. Aktualisht, eksportet e naftës venezueliane drejt SHBA-së kontrollohen nga kompania amerikane Chevron, partner kryesor i sipërmarrjeve të përbashkëta me kompaninë shtetërore PDVSA. Chevron eksporton rreth 100 mijë deri në 150 mijë fuçi naftë në ditë dhe ka qenë e vetmja kompani që ka vijuar transportin pa ndërprerje javët e fundit.

Megjithatë, mbetet e paqartë se si Venezuela do të ketë akses në të ardhurat nga këto eksporte, pasi sanksionet ndërkombëtare e kanë shkëputur PDVSA-n nga sistemi financiar global dhe i kanë ngrirë llogaritë bankare. Zyrtarë amerikanë dhe venezuelianë kanë zhvilluar bisedime për mekanizmat e shitjes së naftës, përfshirë organizimin e ankandeve për blerësit amerikanë dhe lëshimin e licencave të reja për partnerët e PDVSA-s. Këto licenca mund të hapin rrugën për kontrata të reja furnizimi. Gjithashtu, është diskutuar mundësia që nafta venezueliane të përdoret në të ardhmen për Rezervën Strategjike të Naftës së SHBA-së, megjithëse kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Presidenti Trump.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: