Ish-kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, është ndaluar nga policia belge në kuadër të një hetimi për mashtrim. Në të njëjtën ditë, për pyetje është marrë edhe Stefano Sannino, një nga zyrtarët më të lartë të BE-së.
Federica Mogherini, ish-Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, u ndalua gjatë bastisjeve policore të së martës, në kuadër të një hetimi për mashtrim që ka tronditur Brukselin.
Mogherini ishte një nga tre personat e ndaluar për marrje në pyetje të martën në mëngjes, pasi autoritetet belge kontrolluan zyrat e Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), Kolegjin e Evropës në Bruges dhe disa banesa private.
Si Përfaqësuese e Lartë (2014–2019), Mogherini drejtonte EEAS-në dhe politikën e jashtme të bllokut. Që nga shtatori 2020, ajo mban postin e rektore të Kolegjit të Evropës, një universitet prestigjioz që merr fonde nga BE-ja.
I ndaluari i dytë është Stefano Sannino, një zyrtar i njohur i lartë i BE-së, i cili shërbeu si sekretar i përgjithshëm i EEAS-së nga viti 2021 deri në 2024. Në shkurt të këtij viti, Sannino mori detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme për Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Gjirin (DG MENA) në Komisionin Evropian, një strukturë e re e krijuar për të forcuar marrëdhëniet me fqinjësinë e bllokut.
Identitetet e të dyve u konfirmuan nga Euroneës, pas raportimeve të para nga mediat belge. Personi i tretë i ndaluar është një menaxher i Kolegjit të Evropës, sipas gazetës Le Soir.
Kolegji i Evropës deklaroi: “Kolegji do të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet në interes të transparencës dhe respektimit të procesit hetimor. Institucioni mbetet i përkushtuar ndaj standardeve më të larta të integritetit, drejtësisë dhe respektimit të rregullave – si në çështjet akademike, ashtu edhe në ato administrative. Po merren të gjitha masat e nevojshme për të garantuar vazhdimësinë e aktiviteteve.”
Çfarë po hetohet? Bastisjet e së martës u kryen me kërkesë të Zyrës Evropiane të Prokurorit Publik (EPPO), e cila po heton dyshime për mashtrim në lidhje me një projekt të financuar nga BE-ja.
Në qendër të hetimit është Akademia Diplomatike Evropiane – një program 9-mujor trajnimi për diplomatë të rinj – që iu dha Kolegjit të Evropës në Belgjikë përmes një tenderi publik në periudhën 2021–2022.
Hetimi po përpiqet të zbardhë nëse EEAS ka shkelur rregullat e tenderimit duke i dhënë informacione Kolegjit para se projekti të shpallej zyrtarisht fitues.
EPPO thotë se ka “dyshim të fortë” se janë shkelur rregullat e konkurrencës së ndershme dhe se “informacione konfidenciale lidhur me procedurën e prokurimit iu janë dhënë njërit prej kandidatëve”.
Këto fakte “mund të përbëjnë mashtrim në prokurim, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të fshehtësisë profesionale”. Hetimi është ende në zhvillim për të sqaruar faktet dhe për të vlerësuar nëse ka ndodhur ndonjë vepër penale.
Një zëdhënës i EEAS-së konfirmoi bastisjet, duke theksuar se çështja lidhet me aktivitete nga “mandati i mëparshëm”. Aktualisht EEAS drejtohet nga Përfaqësuesja e Lartë Kaja Kallas, e cila zëvendësoi Josep Borrell-in në dhjetor 2025 (Borrell kishte zëvendësuar Mogherinin në 2019).
Zëdhënësi refuzoi të komentojë nëse ndonjë nga të tre të ndaluarit është ende zyrtar në detyrë. EPPO deklaroi se operacioni i së martës u zhvillua pasi “u hoq imuniteti”, çka lë të kuptohet se personat në fjalë janë osehtë të nivelit të lartë.
