Pas lajmit për arrestimin e ish-përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, nga Prokuroria Europiane (EPPO) dhe Zyra Evropiane kundër Mashtrimit (OLAF), deputeti i PD, Belind Këlliçi ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e quajtur ngjarjen “dëshmi se koha është ilaçi më i mirë”.

Ai e lidhi rastin me kritikat e tij të mëparshme ndaj Mogherinit kur tha se në momentin që demokratët protestonin para Bashkisë së Tiranës për aferat korruptive dhe 5D-në, Mogherini dilte përkrah kryebashkiakut Erion Veliaj.

“Mogherinin ne shqiptarët, sidomos banorët e Tiranës, e mbajmë mend shumë për keq, në momentet kur shfaqej krah të korruptuarit Erion Veliaj, duke na e shitur atë si model suksesi për të rinjtë”, thekson Këlliçi.

“Kjo euroburokrate e korruptuar u shiste moral qytetarëve shqiptarë në mbështetje të një regjimi të kalbëzuar, duke e gjetur problemin përherë tek opozita shqiptare. Së fundmi e bëri këtë akt sërish në mes të Tiranës, vetëm para dy javësh, këtë radhë krah Edi Ramës”, theksoi ai.

Postimi
Koha është ilaçi më i mirë!

Prokuroria Europiane (EPPO) dhe Zyra Evropiane kundër mashtrimit (OLAF) arrestojnë sot komunisten Federica Mogherini.

Pas një karriere diplomatike, Mogherini ishte sistemuar në Kolegjin Europian, institucion ku mbante postin e rektores.

Ky institucion sipas Prokurorisë shpenzoi plot 3.2 milion euro në një tender korruptiv për blerjen e një ndërtese strehimi për diplomatët nën trajnim.

Mogherinin ne shqiptarët, sidomos banorët e Tiranës, e mbajmë mend shumë për keq, në momentet kur shfaqej krah të korruptuarit Erion Veliaj, duke na e shitur atë si model suksesi për të rinjtë.

Personalisht e kam denoncuar këtë tallje ndaj shqiptarëve që më 6 shtator 2024, në një ndër protestat e organizuara para Bashkisë Tiranë. Në protestë denoncoheshin çdo javë fakte e prova të reja të hajdutërisë së Veliajt dhe grupit 5D, ndërsa Mogherini dhe ata që i mbanin ison, i bënin shqiptarët për idiotë!

Kjo euroburokrate e korruptuar u shiste moral qytetarëve shqiptarë në mbështetje të një regjimi të kalbëzuar, duke e gjetur problemin përherë tek opozita shqiptare. Së fundmi e bëri këtë akt sërish në mes të Tiranës, vetëm para dy javësh, këtë radhë krah Edi Ramës.

Nuk e dimë nëse Mogherini ka marrë veset e bashkëpunëtorëve të vet shqiptarë, apo nëse modeli i Mogherinit, është synimi i integrimit europian të Edi Ramës.

Ama një gjë e dimë.

Shqipërisë në rrugën e saj nuk i duhen njerëz si Federica Mogherini. Ata vetëm europianë e modele suksesi nuk janë.

Urimi i vetëm është: Tërheqtë këmbën për Kos!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb