Dhoma Avokatisë ka marrë vendimin që të bojkotojë të gjithë seancat gjyqësore për pesë ditë, nga data 20-25 tetor, pas ngjarjes të ndodhur në gjykatën e Elbasanit, me shoqërimin e avokatit Ulian Barjami pas përplasjes me prokurorin.

Ferdinand Ndoja, Kryetar i Komitetit Disiplinor të Dhomës së Avokatisë, ka deklaruar se masa për bojkot nuk është drastike krahasuar me atë që ka ndodhur, ndërsa atë që ndodhi në sallën e gjyqit e quan si paaftësi e gjykatëses për të menaxhuar seancën.

“Unë do të thoja që kjo masë nuk është drastike duke krahasuar me atë që ka ndodhur. Kemi të bëjmë me ndalimin e një avokati që në sallë ka kërkuar nga prokurori të paraqesë provat ashtu siç janë. Pikërisht ky debat në sallën e gjyqit nuk është menaxhuar dot nga gjyqtarja, përkundrazi, është futur një frymë e tillë që ligjin nuk e bën më as gjykata, por prokuroria.

Gjyqtarët tashmë po tregohen të një anshëm me kërcënim me nxjerrjen nga salla sa herë që bëjnë debat me prokurorin. Gjykata duhet të tregojë debatin e avokatëve me akuzën pasta të marrë vendim. Gjyqtarja për mua nuk ka ditur të menaxhojë procesin.

Ne përveç kësaj, po të shihni në vendim, i jemi drejtuar KLP-së dhe KLGJ për të mbajtur qëndrim për prokurorin dhe gjyqtarin. Akuza për të cilin ai është ndaluar, është kanosja, por ajo është kundravajtje penale dhe dënohet me gjobë ose heqje dënimi për 1 vit. Presim që drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit të reagojë dhe ta lërë të lirë.”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb