Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Shefi i ekzekutivit u shpreh se Veliaj u mor nga zyra dhe u mbyll në qeli pa gjyq. Qyteti i Tiranës, tha Rama, pas arrestimit të Veliajt është lënë pa “kokë”.
Rama u shpreh se mazhoranca nuk do të ndjekë më politikën e ndjekur pesë vitet e fundit që nga Reforma në Drejtësi, ku nuk komentoheshin veprimet e marra nga organet e drejtësisë.
Kreu i qeverisë shtoi se drejtësia e re ka fituar vetëbesim mjaftueshëm, ndërsa ka gjatë të gjithë kësaj kohe ka pasur mungesë të kritikave konstruktive.
“Marrja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës për ta mbyllur pa gjyq në qeli për të lënë një qytet të tërë pa kokën që i kanë vënë mbi shpatulla, është një ngjarje tejet e madhe që nuk mund ta kaloj me “s’kam koment”.
Unë nuk do t’i mbaj më për vete opinionet e mija. Në të gjitha rastet që drejtësia do të bëjë punën e saj.
Sot opinioni im është ky:
Drejtësia e re ka fituar vetëbesimin e nevojshëm. Mbështetja jonë do të vijojë njëlloj, por nuk ka pse mos shprehim edhe opinionet kritike, që do të ndihmojë edhe më tej konsolidimin e saj.
U bë 5 vite që flasin të tërë para e mbrapsht për këto që bën parakalimin para kamerave tek stacionin e trenit, dhe vetëm PS forca që qeveris vendin, heshtim.
Heshtja jonë i ka ndihmuar shumë institucionet e drejtësi, deri këtu, por kuptojmë që u mungon kritika kontruktive.
Përballen sot me hosananë e një pjesë të publikut që me zor ka pritur të shohë pushtetarë të lidhur, ose sulme destruktive të asaj pjese të udhëhequr nga bufi i stërplakur dhe kua kua-të”, tha ai.
“Duhet ta dini që rastin e Erionit e kam ndjekur për një sërë arsyesh që do duhan kohën e tyre për të shpjeguar, por ajo që më ka shqetësuar seriozisht, ka qenë intimidimi i disa personave të marrë në pyetje. Njerëz të artit dhe kulturës që u gjetën rastësisht. Nuk dua të hyj në detaje se nuk do ngutemi, do mundohemi të krijojmë një opinion, gjykatësi ka vendosur t’ja heqi kokën bashkisë së Tiranës pa gjyq. Mesa kuptoj bëhet fjalë për një proces hetimor shumë të çuditshëm, i nisur nga një novelë anonime dorëzuar në shkurtin e kaluar në SPAK që ka pjellë një roman”, u shpreh kryeministri.
(BalkanWeb)