Arrestimi i drejtoreshës të Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, është kthyer në një nga zhvillimet më të bujshme të ditës në Shqipëri, teksa SPAK ka vendosur pezullimin e saj nga detyra dhe masën e arrestit në shtëpi, në kuadër të një hetimi për korrupsion dhe nxjerrje të dyshuar të informacionit konfidencial. Lajmi raportohet edhe nga agjencia franceze AFP, e cila e konsideron këtë zhvillim të rëndë, që prek qeverinë e kryeministrit Edi Rama.
Sipas SPAK, hetimi nuk lidhet vetëm me drejtuesen e SHISH, pasi në të njëjtën dosje është përfshirë edhe ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit. Prokuroria ka njoftuar gjithashtu arrestimin e drejtuesit të sektorit të Institutit të Policisë Shkencore.
Vlora Hyseni ka qenë në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit që prej vitit 2023. Emërimi i saj në këtë post u shoqërua me debate politike, kryesisht për faktin se ajo ishte shtetase e Kosovës dhe kishte mbajtur më herët postin e zëvendësdrejtueses së institucioneve të inteligjencës në Kosovë, detyrë nga e cila ishte larguar.
Ndërkohë, në kuadër të të njëjtit hetim, ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, është paraqitur mëngjesin e së martës në ambientet e SPAK. Prokuroria po heton gjithashtu edhe persona të tjerë, mes tyre Ermal Beqirajn, i cili u arrestua në Francë në fund të gushtit, si dhe biznesmenin Ergys Agasi, i arrestuar më 26 gusht.
Sipas AFP, zhvillimi vjen në një moment të vështirë politik për qeverinë Rama, e cila prej muajsh po përballet me protesta të opozitës dhe qytetarëve. Në qendër të protestave ka qenë edhe projekti për ndërtimin e një kompleksi turistik në jug të Shqipërisë, i lidhur me Jared Kushner.
Hetimi i SPAK dhe masat e marra ndaj drejtuesve të institucioneve të rëndësishme shqiptare pritet të sjellin reagime të forta politike dhe publike në vend.
