Dy persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohen si autorë të dy rasteve të zjarrvënieve në zonën e Kombinatit dhe në fshatin Prush. Njëri prej tyre, sipas Policisë, ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi” për dy vepra penale dhe tentoi të largohej sapo konstatoi efektivët, ndërsa gjatë kontrollit iu gjet edhe një thikë.

Në pranga ka rënë shtetasi E. K., 49 vjeç, i dyshuar se i ka vënë zjarrin disa mbeturinave në sheshin “Garibaldi”, në zonën e Kombinatit. Sipas Policisë, sapo ka konstatuar shërbimet, ai ka tentuar të largohej.

Gjatë kontrollit fizik, 49-vjeçarit iu gjet një mjet prerës, thikë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Nga verifikimet rezultoi gjithashtu se ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” për veprat penale “Vjedhja” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”. Në një tjetër rast, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan shtetasin Sh. H., i dyshuar se ka ndezur zjarr në një sipërfaqe toke në pronësi të tij, në fshatin Prush.

Si pasojë e përhapjes së flakëve, zjarri ka prekur sipërfaqe kodrinore të fshatit, duke shkaktuar djegien e pishave, bimësisë së egër dhe pemëve të tjera.

Arrestimet u kryen pas veprimeve hetimore dhe operacionale të Policisë, në kuadër të masave për parandalimin e zjarrvënieve dhe identifikimin e autorëve të tyre. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: