Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Kukës, në bashkëpunim me strukturat e hetimit të krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë dhe Forcën e Posaçme Operacionale, ka finalizuar një operacion që çoi në arrestimin e tre personave të dyshuar për “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.
Të arrestuarit janë shtetasit A.I., E.K. dhe H.E., ndërsa gjatë operacionit u sekuestruan 459 gramë lëndë e dyshuar kokainë. Në hetimet e mëparshme, përmes blerjeve të stimuluara, ishin sekuestruar edhe 12.5 gramë kokainë.
Procedimi penal, i regjistruar nën numrin 677 të vitit 2025, po ndiqet me metoda speciale dhe sipas nenit 283 të Kodit Penal.
Autoritetet theksojnë se hetimet vijojnë për të dokumentuar tërësisht aktivitetin kriminal dhe për të identifikuar të gjithë personat e tjerë të përfshirë.
