Një operacion i befasishëm i Policisë së Fierit ka çuar sot në arrestimin e dy drejtuesve të kompanisë së njohur naftënxjerrëse, “Bankers Petroleum”.
Në pranga kanë rënë CEO aktual me kombësi kineze Hongping Xiao, si dhe ish-drejtuesi i saj, Leonidha Çobo.
Sipas burimeve, oficerët e policisë kanë hyrë me forcë në zyrat qëndrore të kompanisë. Shkak për bastisjen dhe arrestimet dyshohet se është një gjobë miliona lekë e papaguar nga ana e kompanisë.
Më herët, BalkanWeb raportoi për prezencë të shtuar të forcave të policisë brenda ambienteve të Bankers, ndërsa aty ishin edhe automjetet e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Bankers Petroleum është akuzuar në të kaluarën nga Drejtoria e Tatimeve se nuk ka likujduar detyrimet fiskale ndaj shtetit.
Gjithashtu, Bankers akuzohet prej një kohe të gjatë për ndotjen që shkakton në zonë si rezultat i aktivitetit naftënxjerrës, pa respektuar standardet.
(BalkanWeb)
