TIRANE- Dy shtetas nga Guinea janë vënë në pranga ditën e sotme nga policia e Tiranës. Siç mësohet nga njoftimi i Policisë, u arrestuan në flagrancë, 20-vjeçari Alpha Oumar Barry, lindur në Guinea/Conakry dhe banues në Conakry, komuna Ratuma Koloma. Po ashtu u arrestua dhe 25-vjeçari, Thierno Madjou Bah, lindur në Guinea/Conakry dhe banues në Conakry komuna Ratuma Nasurlai.
Arrestimi i tyre u bë pasi, këta shtetas janë paraqitur në hyrje ne Republikës së Shqipërisë dhe udhëtonin në kategorinë i zakonshëm Stamboll-Rinas me linjë ajrore. Dy shtetasit e mësipërm kanë paraqitur si dokumenta udhëtimi dokumenta të falsifikuara, viza shqiptare të falsifikuara, si dhe leje qëndrimi Belge të falsifikuara. Të dy shtetasit Guiniane të mësipërm kanë deklaruar se me anë të njohjeve të tyre familjare ose miqësore janë lidhur me një person që jeton në shtetin e Malit në qytetin e Bamakos, i cili u ka siguruar dokumentet e mësipërme kundrejt pagesës 2.000 dhe 400 Euro.
Këta shtetas kishin si destinacion final shtetin e Gjermanisë me tendencën e kërkimit te Azilit. Për shtetasit nga Guinea Alpha Oumar Barry dhe Thierno Madjou Bah u mor masa e “Arrestit në Flagrancë” për “Fallsifikim të Pasaportave, Letërnjoftimeve ose i Vizave”.
(el.sp/BalkanWeb)
