TIRANË- Policia e Tiranës ka arrestuar sot një 22-­vjeçar, lindur dhe banues në Tiranë i dyshuar si vrasës me pagesë, pjestar në grupin kriminal që drejtohej nga burgu prej Admir Tafilit, ku bënin pjesë edhe Kristi Pine dhe Alfred Qefalia.

Në pranga ka rënë Dhimitër Zito, 22 vjeç, i cili është kapur në aeroportin “Nënë Tereza”, teksa përpiqej të largohej nga vendi, thanë burime për Gazetënb Panorama.

Në njoftimin e policisë, thuhet se 22-vjeçari dyshohet të jetë autor i vrasjes së mbetur në tentativë në datë 04.09.2014, ndaj shtetasit E. Ç., i cili mbeti i plagosur rëndë. Ndalimi i këtij shtetasi është bërë duke u bazuar në prova e fakte, se më datë 04.09.2014 në bashkëpunim me shtetasit Kristi Pine (arrestuar ne date 16.02.2015), Alfred Qefalia (arrestuar ne datë 11.02.2015) dhe Adrian Uzuni (shpallur në kerkim) kanë tentuar të vrasin me armë zjarri shtetasin Edmond Çakmashi, i cili ka mbetur i plagosur rëndë.

Për të eliminuar këtë person ishin paguar me 10 mijë euro, ndërsa policia theksoi se grupi kriminal drejtohej nga burgu prej të dënuarit përjetë Admir Tafili, i cili sipas policisë kishte rolin e ndërmjetësit, pasi porositë për krimet i jepte tjetërkush.

Ndërkaq thuhet se, Policia e Tiranës është duke punuar për arrestimin e shtetasit Adrian Uzuni, i shpallur edhe ky në kërkim, si pjestar i këtij grupi.

Më 23 shkurt të këtij viti, një javë pas arrestimit të tre personave të dyshuar si vrasës me pagesë, Policia e Shtetit foli zyrtarisht për krimet që ata dyshohet të ketë kryer, duke i quajtur grup të strukturuar kriminal. Zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, u shpreh se ky grup drejtohej nga burgu prej të dënuarit përjetë Admir Tafili, i cili sipas tij kishte rolin e ndërmjetësit, pasi porositë për krimet i jepte tjetërkush. Në një konferencë për shtyp, veç krimeve që ishin bërë publike më parë në media, foli edhe për tri ngjarje të tjera që dyshohen të arrestuarit Alfred Qefalia, Kristi Pine dhe Aleksandër Gora. Sipas tij, ata janë paguar edhe për atentatin me eksploziv ndaj drejtorit të Burgut të Fushë­Krujës, Arben Sulo, ngjarje e ndodhur në Durrës, më 19 janar të këtij viti, ku Sulo mbeti i plagosur rëndë. Sipas numrit dy të Policisë së Shtetit, të dyshuarit janë paguar edhe për dy ngjarje të tjera në Pogradec, të cilat nuk i kanë realizuar dot. Haki Çako, në fund të konferencës është shprehur se 3 personat e arrestuar, Admir Tafili që ndodhet në burg dhe dy persona të tjerë që janë shpallur në kërkim, po hetohen edhe për eksplozivin e vendosur në farmacinë e Bashkim Tahirit, babait të ministrit të Brendshëm.

KRIMET E ZBARDHURA
Sipas burimeve zyrtare të Policisë, këta persona kryenin vrasje për të cilat merrnin shuma që varionin nga 5 mijë deri në 50 mijë euro.

Ngjarja e parë për të cilën ata akuzohen është tentativa e vrasjes me eksploziv C4 e ndërtuesit Armando Çeka, për të cilën ishin paguar me 5 mijë euro. Kjo ngjarje ndodhi më 26 shkurt të vitit të kaluar dhe u plagosën rëndë objektivi i sulmit, Çeka, juristi i tij, Julian Çela dhe truproja Artur Sharra. Krimi i radhës për të cilin ata dyshohet të jenë paguar me 20 mijë euro, ka ndodhur
në Shkodër më 25 qershor të vitit 2014. Në këtë ngjarje u vra me breshëri automatiku 50­vjeçari Ibrahim Mani. Ngjarja tjetër ku ata dështuan edhe pse ishin paguar me 10 mijë euro, ka ndodhur në Tiranë, në afërsi në Shkozës, më 4 shtator të vitit të kaluar. Në këtë ngjarje mbeti i plagosur 37­vjeçari Edmond Çakmashi, nga një breshëri plumbash që goditën makinën e tij tip “Audi”, me të cilën ai po udhëtonte.
Të dyshuarit janë paguar me 25 mijë euro për vrasjen e biznesmenit Leonard Murati në Durrës, më 18 nëntor 2014. Më 19 janar të këtij viti, kanë hedhur në erë me eksploziv makinën me të cilën udhëtonte në Durrës drejtori i Burgut të Fushë­ Krujës, Arben Sulo, duke e plagosur rëndë.

NGJARJET PER TE CILAT AKUZOHEN
Vrasjes me armë zjarri të shtetasit I M, ngjarje e ndodhur me datë 25.06.2014 në qytetin e Shkodrës në vendin e quajtur “Shtepia e Mushkonjes”.
• Vrasjes së mbetur në tëntativ të shtetasit E.Ç, ngjarje e ndodhur më datë 05.09.2014 në qytetin e Tiranës në lagjen Shkoze.
• Vrasjeve të mbetura në Tentativ me vendosje lëndë eksplozive të shtetasve A.C, J.C, dhe A.SH, ngjarje e ndodhur më datë 26.02.2014, në Rrugën “Budi”, Tiranë, ku si pasojë e shpërthimit mbetën të plagosur rëndë shtetasit e mësipërm si dhe u shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale.
• Vrasjes së mbetur në tentativ për shkakë të cilësive të veçanta me vendosje lëndë eksplozive në automjetin e shtetasit A.S, Drejtor i Burgut Fushë­Krujë.
• Marrje porosi me 25 mijë Euro, për vrajen e shtetasit L.M, ngjarje e ndodhur më datë 18.11.2014, në qytetin e Durrësit.
• Marrje porosi me 50 mijë Euro, për vrasjën e dy biznesmenëve në qytetin e Pogradecit.(ngjarje e parealizuar).
• Marrje porosi me 20 mijë Euro, për vrasjen e hasmit të shtetasit Aleksandër Gora, me inicial A.V, (ngjarje e parealizuar).

(ma.ar/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: