Tre të dhëna përbëjnë një fakt, fakt është që në Champions, Inter e ka të vështirë të bëjë të madhin me të mëdhenjtë. Ndaj Arsenal ishte humbja e tretë radhazi në këtë turne, një ecuri negative që nxjerr zikaltërit nga zona e sigurisë një xhiro përpara fundit të fazës së Ligës.

Në “San Siro”, u zhvillua një ndeshje e bukur, me gola dhe raste për shënim, ku pas vetëm 10 minutash, Gabriel Jesus ndoqi mirë një aksion brenda në zonë dhe me një devijim të lehtë dërgoi topin në rrjetë. Inter iu përgjigj shpejt ku tetë minuta më vonë, Sucic me një predhë të vërtetë realizoi një super gol duke sjellë festë në stadium. “Topçinjtë” përfituan nga një përgjumje e zikaltërve ku gjatë zhvillimeve të një goditje këndi, Gabriel Jesus goditi edhe një herë Inter në zemër të mbrojtjes duke rikthyer Arsenal në avantazh.

Në fraksionin e dytë, Chivu ndërhyri në formacion duke hedhur në fushë edhe Pio Esposito-n, me sulmuesin “azzurr” që u përpoq të ndryshonte rrjedhën e këtij takimi, por Arsenal i kapi “mat” në minutën e 84-ët ku Gyokeres finalizoi me shumë klas një kundërsulm të shpejtë duke sigluar shifrat në 3-1. Pas xhiros së 7-të, Arsenal mbetet perfekt në Champions me 7 fitore në 7 ndeshje, 21 pikë të plota, 20 gola të shënuar vetëm 2 të pësuar.

  • foto galeri
  • foto galeri

“Inter nuk mjafton. Arsenal i shënon 3, në 1/8 do të jetë e vështirë”, shkruan La Gazzetta dello Sport në faqen e parë.

Pranon atë që dha fusha trajneri i Inter, Chivu: “Ata ishin më të fortë, në shpejtësi, në intensitet, në gjithçka. Nëse kundër Liverpool dhe Atletico mund të meritonim diçka më shumë, këtë herë jo, ishte e pamundur”, u shpreh Chivu. Si një kavaljer i vërtetë, Arteta fillimisht i bëri komplimenti Inter për mënyrën e lojës, shijon këtë fitore të madhe, por nuk pranoi të flas për objektiva, në sytë e tij është ende herët për të bërë një diskutim të tillë, nëse do t’i shkojnë deri në fund këtij edicioni në Champions.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb