Nga ERMELINDA HOXHAJ*

Nxënësit shqiptarë kanë probleme të mëdha në formimin gjuhësor, matematikor dhe shkencor. Po ashtu, kurrikula mësimore është shumë e ngarkuar në krahasim me vendet e tjera europiane. Ndërkohë që problem është edhe formimi i mësuesve, por edhe mungesa e investimeve në arsim. Këto dhe probleme të tjera janë ngritur gjatë prezantimit të strategjisë së arsimit parauniversitar ditën e djeshme. Në strategjinë e arsimit parauniversitar parashikohet që të shkohet drejt një teksti bazë, çka do të thotë që numri i alternativave për një lëndë do të vijë duke u ulur ndjeshëm, një apo dy tekste. Ndërkohë që aktualisht disa tekste kanë pasur deri në 13 tekste alternative. Kjo gjë është deklaruar nga zv/ministrja e Arsimit, Nora Malaj, e cila ka thënë ndër të tjera se do ketë një unifikim të teksteve Shqipëri-Kosovë. “Këtë vit të ri shkollor pritet që nxënësit e klasave të para dhe të gjashta në Shqipëri dhe Kosovë të mësojnë me të njëjtat tekste”, – tha Malaj.

Strategjia
Strategjia për arsimin parauniversitar evidenton të gjitha problemet theme-lore të arsimit, ku duhet të ndërhyhet menjëherë. Niveli i nxënësve shqiptarë është më i ulët se mesatarja e shumë vendeve që morën pjesë në vlerësimin ndërkombëtar të PISAS. Vlerësimet e viteve 2009, 2012 treguan se formimi gjuhësor, matematikor dhe shkencor i nxënësve është nën nivelin mesatar të formimit të nxënësve të vendeve të tjera. Në draft përcaktohet se, krahasuar me treguesit e ngarkesës për vendet e OECD-së, ngarkesa mësimore e nxënësve tanë është shumë e lartë, sikundër nuk arrihet sa e si duhet nxitja e vetëveprimit të nxënësve në procesin e të nxënit.

“Në konkurrencën që kanë midis teksteve nuk do të kemi më shumë se sa dy tekste, për ato që janë të ndërmjetme, ndërsa ato tekste që do të vijnë të huazuara, të marra nga jashtë do të jetë vetëm një tekst. Edhe ato që do të jenë tekste kombëtare do të realizohet mundësia që të jetë vetëm një tekst”, tha zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj. Ndër të tjera, në tekst ngrihen si problem niveli jo i kënaqshëm i financimit, mungesa në investimin e godinave të reja arsimore dhe mosmirëmbajtja e atyre ekzistuese. Po ashtu, migrimi nga fshati në qytet ka bërë që shkollat në qytete dhe në zonat periferike urbane të punojnë mbi kapacitetin e tyre. Ndërsa përmendet fakti se shumë mësues janë jashtë profilit përkatës ose dhe pa arsimin e duhur. Sipas Malajt, mungesa e kualifikimit të mësuesve sjell dhe pasoja në cilësinë e arsimit.

“Ka kohë që po diskutohet për kualifikimin e mësuesve dhe për hir të së vërtetës, ‘thembra e Akilit’ në sistemin e arsimit parauniversitar është çedimi në kualifikimin e mësuesve. Stop, kurseve private në shkolla. Nëse do të kapim rastin e një mësuesi që bën kurse private, do të ikë nga sistemi i arsimit”, tha Malaj. Në ditët në vijim MAS do të vazhdojë diskutimet për Strategjinë e Arsimit Parauniversitar me aktorë të shoqërisë civile, etj.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb