Kryeministri Edi Rama e cilësoi sot arsimin profesional si një rrugë alternative të sigurt për të rinjtë drejt punësimit.
Në një takim të organizuar mbi arsimin profesional dhe masat që po ndërmerr qeveria për nxitjen e tij, Rama theksoi se të pajisur me armën e një zanati të rinjtë mund të gjejnë lehtësisht punë në një treg të etur, ku pagat po vazhdojnë të rriten ndjeshëm.
Kryeministri informoi se brenda muajit dhjetor, nxënësit e viteve të para të gjimnazeve, mund të transferohen lehtësisht në shkollat e arsimit profesional, nëpërmjet e-Albania.

“Nuk është fjala për një reformë të thjeshtë, por për një reformë të ndërlikuar dhe jetike në kuptimin më të plotë të fjalës për ekonominë tonë dhe zhvillimin tonë social. Është shumë e qartë që arsyet për të cilat arsimi profesional vazhdon të mos jetë në lartësinë e duhur të vëmendjes së prindërve dhe nxënësve janë më shumë se sa një, por nga ana tjetër është po kaq e qartë që në këtë fazë të zhvillimit të vendit, ne duhet të bëjmë një sforco të përbashkët për të kapërcyer pengesat që ngrihen, ose që janë ngritur gjatë gjithë rrugës për shkak të këtyre arsyeve”, u shpreh Rama.

  • foto galeri
  • foto galeri

Kryeministri u shpreh se situata me arsimin profesional është jo e dëshiruara për nevojat e vendit, por sot ne kemi mundësi ta adresojmë këtë situatë me më shumë agresivitet.

“Aktualisht ne duhet t’i nxisim dhe shtyjmë nxënësit që në numra të konsiderueshëm të integrohen në sistemin e arsimin profesional. Kushtet janë përmirësuar në mënyrë të ndjeshme. Duhet të zgjerojmë më tutje infrastrukturën e arsimit profesional, pro aktualisht kemi mjaftueshëm vend për fazën e parë e cila ka nisur por duhet të intensifikohet”, tha Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb