Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka zhvilluar ditën e sotme një tryezë për arsimin parauniversitar me të rinjtë në Tiranë.

Meta ka deklaruar se arsimi në vend nuk ka marrë mbështetjen e duhur morale e financiare për të zhvilluar mësimdhënien me kushtet që meriton Shqipëria në vitin 2023.

Sipas tij kjo nuk është rastësi ndërsa shtoi se pushteti vendor ka shumëçka në dorë për të zhvilluar arsimin përmes investimeve në ambiente mësimore.

Meta shtoi se shqiptarët janë ndër të parët në listat e kombësive të cilat kalojnë kanalin e La Manshit në mënyra ilegale për të mbërritur në Britaninë e Madhe, si pasojë e dështimit të sistemit arsimor dhe se aty nuk ka asnjë vend tjetër të rajonit, por vetëm kombësi nga vendet e prekura nga lufta.

“Arsimi nuk është thjesht profesion, arsimi është mision. Mision pa pasion nuk ka, mirëpo ne kemi vënë re se vlerësimi ligjor, kushtetues në një plan më të gjerë, moral e financiar për të zhvilluar mësimdhënien me kushtet që meriton Shqipëria e vitit 2023 janë në gjendjen më katastrofike të mundshme. Një indikator krahason Shqipërinë e sotme me atë të vitit 2010 dhe me vendet e rajonit për të njëjtën periudhë. Është ulur në mënyrë drastike, nga 74% në 55% të nxënësve që kanë mbaruar shkollën. Tendenca është në ulje, ndërkohë që të gjitha vendet e rajonit e kishin mbi 90%.

Me këto çmime dhe kushte nuk i mbajmë dot fëmijët në shkolla, prandaj pedagogët kërkojnë paga të njëjta me Kosovën dhe të tjera. Kjo nuk është rastësi. Një gjë mund ta them, pushteti vendor ka një rol të veçantë në mbështetjen e arsimit, sidomos atij parashkollor për formimin e fëmijëve dhe lehtësimin e kushteve të prindërve. Ke frikë të ecësh në Tiranë të dëgjosh që prindërit i çojnë fëmijët në kopshte shumë larg banesave sepse nuk ka investime.

Unë besoj se me çrrënjosjen e monizmit në tërësi si forma më e neveritshme e rikthimit të diktaturës së një pakice uzurpatore, ne do të japim një model krejt tjetër me një mbështetje shumë të madhe. Unë jam i bindur se opozita do fitojë në mënyrë dërrmuese. Jo rastësisht kemi zgjedhur që në krye të listave tona të kemi sa më shumë figura e personalitete intelektualë, pedagogë që do japin tonin jo vetëm mbështetjes për arsimin, por njëkohësisht që do tregojnë se çfarë dallimi ekziston kur pushtetin e kanë bandat dhe kur pushtetin e kanë intelektualët.

Dallimi më i fortë do jetë në Elbasan, pasi ky qytetet nga Rilindja u shndërrua në qytetin më të kriminalizuar të vendit, në qytetin e dytë më të varfër të vendit dhe që ka potenciale për të qenë ndër qarqet më të begata. Është një gjë e mrekullueshme që një kandidat si Luçiano Boçi do drejtojë bashkinë e Elbasanit. Jemi në vendet e para të atyre që kalojnë kanalin e La Manshit, nuk gjeni asnjë vend tjetër të rajonit, vetëm vendet që janë në luftë sipas Home Office. Për ne prioriteti është arsimi, do diskutojmë për të në fillim pasi të vijmë në qeveri dhe më pas do diskutojmë për çështjet e tjera”, tha Meta.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb