Eksperti i sigurisë, Dritan Goxhaj, i ftuar në studion e emisionit “Oponencë” në News24, ka komentuar operacionin ushtarak të Shteteve të Bashkuara në Venezuelë, ku u kap presidenti Nicolás Maduro, duke theksuar se ndërhyrja amerikane nuk paraqet një “pushtim tradicional”.
Ngjarjet për këtë operacion janë konfirmuar gjerësisht nga burime ndërkombëtare, sipas të cilave SHBA-ja kreu një goditje të fuqishme ushtarake që përfundoi me kapjen e Maduros dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores, dhe transportimin e tyre në Shtetet e Bashkuara, ku ata përballen me akuza federale.
Goxhaj shpjegoi se mendohet se operacioni zgjati vetëm disa orë dhe trupat amerikane u tërhoqën më pas. “Nuk ka asnjë uniformë amerikane tani në Venezuelë,” tha ai, duke shpjeguar se ky veprim nuk ka precedent të njëjtë me intervencat ushtarake të mëparshme.
Goxhaj theksoi gjithashtu se, megjithëse pretendohet se ndërhyrja nuk ka të bëjë me naftën brenda Venezuelës, konteksti global gjeopolitik është një faktor kyç. Ai shpjegoi se presioni mbi Venezuelën lidhet me rolin e saj në tregun e energjisë dhe me planet e mundshme për ndërveprim ekonomik që mund ta minonin dominimin e dollarit amerikan në tregjet ndërkombëtare, një element kyç i strategjisë gjeopolitike amerikane, sipas tij.
