Alaska, dikur e konsideruar një shkretëtirë e egër dhe pa vlerë, mori një kthesë të madhe në vitin 1967 kur u zbuluan rezervat e mëdha të naftës. Që atëherë, nxjerrja e naftës është bërë një shtyllë kryesore e ekonomisë së këtij shteti amerikan. Vetëm disa orë pasi mori detyrën më 20 janar 2025, presidenti Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të zgjeruar prodhimin e naftës dhe gazit në Alaskë, duke lehtësuar njëkohësisht standardet për mbrojtjen e mjedisit.
Në fjalimin e tij inaugural, Trump njoftoi gjithashtu synimin për të kthyer emrin e malit më të lartë në SHBA – nga Denali në Mount McKinley. Ky mal mbi 6,000 metra i lartë (19,685 feet) mbante emrin e presidentit Uilliam McKinley nga viti 1917 deri në vitin 2015, kur Barack Obama riktheu emrin e tij indigjen – Denali. Trump e vlerëson lart McKinleyn, i cili njihet për përdorimin e tarifave në politikën e jashtme dhe për zgjerimin e territorit amerikan në Hauaii dhe ishuj të tjerë në Paqësor e Atlantik.
Nga besimi ortodoks te mburoja ndaj Rusisë
Alaska ruan ende një lidhje historike me Rusinë. Rreth 80 komunitete të krishtera ortodokse ruse jetojnë aty dhe festojnë Krishtlindjet sipas kalendarit ortodoks, në fillim të janarit.
Gjatë Luftës së Ftohtë, Deti Bering që ndan SHBA-të nga Rusia (atëherë Bashkimi Sovjetik), u njoh si “Perdja e Akullt”. Alaska u kthye në vijën e parë të mbrojtjes amerikane kundër çdo sulmi të mundshëm sovjetik. Kjo solli ndërtimin e bazave ushtarake si Joint Base Elmendorf-Richardson, si dhe vendosjen e radarëve dhe raketave. Ish-guvernatorja republikane Sarah Palin, që kandidoi për zv/presidente në vitin 2008, paralajmëroi për rrezikun që vinte nga “fqinji i afërt” — Rusia, sidomos pas pushtimit rus të Gjeorgjisë. Ajo kërkoi që Gjeorgjia dhe Ukraina të bëheshin pjesë e NATO-s.
Distanca mes dy vendeve është aq e shkurtër sa që Diomede Islands në ngushticën Bering janë vetëm 3 kilometra larg njëra-tjetrës — njëra është territor rus, tjetra amerikan. Në tetor të vitit 2022, dy rusë përdorën këtë afërsi për të ikur nga thirrja në ushtri dhe mbërritën me varkë në ishullin amerikan St. Laurence, që i përket Alaskës.
Takim pa precedent, por jo i pari në Anchorage
Presidenti Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin do të takohen në Anchorage, Alaska, për të diskutuar luftën në Ukrainë — megjithëse pa praninë e përfaqësuesve ukrainas. Ky takim nuk është hera e parë që një lider i huaj pritet në Anchorage. Në shtator të vitit 1971, Perandori japonez Hirohito zgjodhi pikërisht këtë qytet për vizitën e tij të parë ndërkombëtare, ku u takua me presidentin amerikan Richard Nixon përpara se të udhëtonte në Londër, Bon dhe Paris.
Ndryshe nga Hirohito, Putin nuk mund të udhëtojë më në ato vende. Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë ka lëshuar një urdhër-arresti ndaj tij, që do të zbatohej në shumë vende europiane. Por siç dihet, SHBA-të nuk e njohin juridiksionin e kësaj gjykate, ndaj Putin është i sigurt në Alaska.
Prandaj u zgjodh Alaska — larg Hagës, pranë naftës dhe gjeopolitikës-DW-
