Nga: SILVI BAKIRI*

Teksa shihja punimet artistike të kryeministrit Rama në llogarinë e tij zyrtare në “Facebook”,
realizuar në ekspozitën e hapur enkas për këtë qëllim në Gjermani, si edhe bashkëngjitur vrullin diku keqdashës e baltosës të shtypit e diku edhe të drejtë, për shkak se z. Rama gjatë kësaj ekspozite nuk është se u kujdes t’i hidhte një sy bashkëkombësve të tij që kishin bërë rreshtore çadrash jo aq larg ekspozitës, mendova që si ka mundësi ndër të tjera, që askush nuk komentoi faktin se si mund të perceptohen “në botën jashtë” disa vepra arti që realizohen mbi fletë kalendari a shkresurina me firma zyrtarësh të lartë, ku kryesisht bien në sy ato të opozitës. Jam e bindur se përshtypja e parë, nëse unë do isha një vizitore e ekspos së kryeministrit të një vendi të vogël, do ishte shumë e mirë në pamje të parë dhe shume e keqe nëse pastaj do përqendrohesha tek sfondi.
Sfondi i këtyre punimeve është jo vetëm arrogant, tallës dhe absurd, por edhe nuk e justifikon fare “reklamën” gjoja për mirë, që ne si vend përfitojmë nga ky ekspozim. Nuk e justifikon, sepse me këto sfonde pikturash ti si kryeministër i një vendi si Shqipëria, nuk bën gjë tjetër përveçse ndjek gëzueshëm traditën e hedhjes së baltës, diku në mënyrë të drejtpërdrejtë e diku tjetër në mënyrë të hollë e fine të po asaj opozite që përqeshet për përqeshjet apo sharjet nga foltorja e Parlamentit. Pra, ti si kryeministër nuk po bën gjë tjetër përveçse po stilizon në një formë tjetër të njëjtën lojë që në retorikën tënde përçmohet. Çfarë duhet të kuptojmë me këtë? Mos vallë shprehjen: Bëni si them unë, por mos bëni si bëj unë?! (…)
Unë pra, si një qytetare e një vendi tjetër, nëse do e shihja atë ekspozitë, do mendoja se kemi të bëjmë me një politikë të personalizuar, një politikë që trajtohet si një telajo ku mund t’i derdhësh ngjyrat sipas qejfit tënd, pa të bërë syri tërr, se fundja ajo telajo është hapësira jote personale. Mund të bësh ç’të të dojë kokrra e qejfit me të. Po, po, por politika ka rregulla të tjera loje. Këtë e di edhe bufi! Politika është arti i kompromisit, ashtu siç në një “tablo” pak më të madhe edhe vetë jeta është arti i kompromisit (me disa rregulla loje edhe kjo). Atëherë pse unë, në radhë të parë si qytetare e pastaj edhe si artdashëse, të mos dua të shoh një ekspozitë normale me vepra arti pa mllef në sfond? Pse arti të mos jetë më konstruktiv, jo nga ai i llojit të soc-realizmit natyrisht, por nga ai i llojit të kafshës që shpall evoluimin në njeri, që t’ia veshë paksa edhe politikës këtë art…
Unë si qytetare pra, do preferoja shumë më shumë të shihja një ekspo normale me të njëjtat punime e aq më mirë nga vetë dora e kryeministrit të një vendi. Pse duhet arti, të bëhet shesh-betejë ironie, thumbimi, mllefi, inati?! Po, arti mund të jetë shprehje revolte, por jo nëse masa oportune e gjithë kësaj është imazhi i Shqipërisë. Askush nuk do një imazh arrogant, që përqesh, tall, tregon forcën në forma të tilla. Nuk e duam! Ashtu sikurse nuk duam një opozitë që fyen apo shpif. Të dyja janë anët e së njëjtës monedhë.
Romantizimi dhe veçantësia e këtyre punimeve në pikturë ta rrëzon qiellin sapo shihet mbrapa se janë bërë mbi emra kolegësh që mirë apo keq, janë pjesë e klasës politike ku edhe kryeministri bën pjesë. Nëse në kohën e diktaturës, shqiptarët vuanin prej respektit të dhunshëm mes anëtarëve të Byrosë, sot, me këto shfaqje “jashtë” ne po vuajmë izolimin e një imazhi negativ nga jashtë dhe jo nga brenda, sepse, unë ta zëmë nuk dua të përfaqësohem në asnjë mënyrë kështu. Pse ne duhet të përfaqësohemi nga inatet e një njeriu të vetëm? Çfarë tagri ka një kryeministër që të përfaqësojë në këto forma, thuajse karagjozllikshe, pjesën tjetër që do të dalë publikisht por, seriozisht dhe denjësisht e me vepra vërtet të vlefshme?! Si mundet arroganca të jetë pjesë integrale e një politike beninje? Sa nevojë ka politika e vitit 2015 për shfaqje të tilla, përbuzëse? Fare!
Meqë politikanët-artistë, në Parlamentin shqiptar, tashmë janë gjë e zakonshme, të paktën nëse këta të fundit shfaqin aspiratën të na përfaqësojnë, të na përfaqësojnë me vepra të vërteta, jo me zhurmë ose në një rast tjetër, le të përfaqësojnë vetëm artin personal, në vepra personale, larg imazhit të përbashkët, që i targetohet fatkeqësisht apo fatmirësisht prej pozicionit të tyre publik në politikë.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: