Aktorja e njohur Ema Andrea ishte e ftuara e parë në programin “Dola te Ola” për këtë javë, ku ndër të tjera foli edhe për jetën e saj artistike.

Ema teksa rrugëtoi nëpër kujtimet në të cilat ka kaluar karriera e saj, tha se i është dashur të përballet me shumë vështirësi, por asnjëherë nuk ka zgjedhur të bëjë kompromise që rruga e saj të bëhej më e lehtë. “Kam kërkuar gjithmonë dinjitet në punë dhe kjo më ka sjellë shumë probleme, por më kanë rritur në mënyrën time. Jam bërë më e fortë”, tha ajo.

Karriera e Ema Andreas është krijuar më së shumti si një artiste e pavarur. Ajo numëron mbi 40 role si aktore dhe 15 si regjisore, dhe në program aktorja foli edhe për rëndësinë që ka arti për të.

Ema Andrea ka zgjedhur që me anë të artit të saj të trajtojë kauza të ndryshme që prekin shoqërinë tonë, që lidhen me problemet sociale, grupet në nevojë, të drejtat e grave, dhuna në familje, dhuna kundër gruas, abuzimet seksuale, etj.

“Unë përpiqem të jap kontributin tim. Impakti është shumë i fortë. Arti duhet të flasë. Nëse do të kishte një strukturë, arti gjallëron të gjitha strukturat e tjera, e ka impaktin të menjëhershëm. Do të doja të ishte si dikur që arti ndryshonte botën”, u shpreh aktorja.

Ndërkohë rrugëtimi nëpër kujtime për Ema Andrean u mbyll me një fotografi ku ajo shihej në krah me vajzën e saj Sarën. “Kjo është kryevepra që Zoti ma ka dhënë”, tha aktorja, teksa shtoi se ndihet fajtore që nuk ka mundur t’ia bëjë fillimet e jetës më të lehta, edhe pse gjithmonë ka besuar që vlerat janë baza e gjithçkaje.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb